Kancelari austriak Sebastian Kurz ka pranuar zyrtarisht se qeveria e drejtuar prej tij, bashkë me disa shtete të tjera europiane po punon mbi idenë e ngritjes së një kampi për pritjen e emigrantëve jashtë BE. Por është shprehur se do të shihet nëse kjo strukturë do të vendoset ose jo në Shqipëri.

Shefi i ekzekutivit në Austri i pyetur nga gazetarët mbi mundësinë e zbatimit të këtij projekti në vendin tonë u përgjigjet vetëm me tog-fjalëshin "do ta shohim", duke shtuar kështu konfuzionin mbi këtë çështje, e cila ka prodhuar edhe një debat politik mes mazhorancës dhe opozitës shqiptare.

Tashmë pritet të zbulohet se cili do të jetë vendi që do të propozojë Austria si dhe shtetet e tjera që po angazhohen me projektin për të vendosur përkohësisht emigrantët në një vend jashtë BE.

Gjithashtu është ende e paqartë nëse propozimi austriak, për të zbatuar këtë skemë do të pranohet nga të gjithë anëtarët e tjerë.

Kriza e azilkërkuesve ka sjellë përplasje mes vendeve europiane, teksa një pjesë e shteteve të BE janë kundër idesë së pranimit të emigrantëve nëpërmjet një sistemi kuotash.

/Ora News.tv/