Policia ka arrestuar 5 të rinj të përfshirë në përplasjen e armatosur në qytetin e Kavajës, ku për pasojë një qytetar humbi jetën aksidentalisht, ndërsa pesë persona të tjerë mbetën të lënduar. Një i 6 i dyshuar për vrasje e plagosje është shpallur në kërkim. Ngjarja që rrezikoi të prodhojë një masakër, nisi për një sherr mes të rinjve dhe fjalinë sfiduese "pse më sheh!"

5 persona janë arrestuar dhe një tjetër është shpallur në kërkim nga Policia për ngjarjen e rëndë të shënuar dje në Kavajë, ku një 52 vjecar u vra aksidentalisht dhe 5 persona të tjerë mbetën të plagosur në një shkëmbim zjarri mes dy grupe rivale të rinjsh.

Marjus Aliu, është vënë në pranga në spitalin e Durrësit ku shkoi i plagosur gjatë përplasjes me armë.

Ai dyshohet për vrasjen e 52 vjeçarit Ramazan Hasanlliu, i cili sapo kishte blerë bukë në furrën e lagjes e po shkonte drejt shtëpisë.

Në kërkim është vëllai i Vëllai, Denis Aliu, 33 vjeç, ndaj të cilit po ashtu rëndojnë tre akuza për vrasje e armëmbajtje.

Të arrestuarit e tjerë janë Eraldo Hyka, Ardian Dedej, i dënuar më parë,  Qazim Merkja dhe Agron Kollcaku.

Ata ishin pjesë e dy grupeve rivale që u përplasën me armë pasi dështuan të zgjidhin me fjalë një konflikt.

Burimet thonë se sherri ka nisur mbrëmjen e së mërkurës mes mes Eraldo Hykës dhe Denis Alisë,  ndërsa kanë pasur edhe një përplasje në orët e paradites së të enjtes.

Ndërsa në mesditë, palët mësohet se janë takuar për sqarim pranë lokalit të rivalëve Dedej, ku përplasja përshkallëzoi në përdorimin e armëve të zjarrit.

Të paktën katër armë zjarri u përdorën në luftën mes të rinjve, ku plumbat krijuan terror dhe nuk kursyen as kalimtarët e rastësishëm.

Veç Ramazan Hasanlliut, që mbeti viktimë u plagosën edhe qytetarët Sali Mekja dhe Arben Hajdini që ndodheshin në një lokal aty pranë.

Ndërkohë nga të rinjtë e përfshirë në konflikt mbetën të plagosur Marjus Aliu, Ardian Dedej dhe Eraldo Hyka, që të tre të arrestuar.

Pas ngjarjes policia shoqëroi edhe disa persona të tjerë të afërm me të rinjtë dhe të dyshuar si të përfshirë në konflikt, por ndaj tyre për momentin nuk janë ngritur akuza.

Të arrestuarit

Marjus Aliu 31 vjeç, lindur dhe banues ne lagjen Nr. 1 Kavaje, për veprat penale të “Vrasje në rrethana të tjera cilësuese, kundër dy ose më shumë personave", “Vrasje me paramendim, e kryer në bashkëpunim e ngelur në tentativë" dhe “Prodhim dhe mbajtje pa leje e armëve dhe municioneve luftarake";

Ardian Dedej 43 vjeç, lindur dhe banues ne lagjen Nr. 4 Kavaje, (i denuar me pare), për veprat penale të “Vrasje në rrethana të tjera cilësuese e kryer në bashkëpunim, e mbetur në tentativë' dhe “Mbajtje pa leje e armëve dhe municioneve luftarake”;

Eraldo Hyka 22 vjeç, lindur dhe banues ne lagjen Nr. 5 Kavaje, për veprat penale të “Vrasje në rrethana të tjera cilësuese e kryer në bashkëpunim, e mbetur në tentativë" dhe “Mbajtje pa leje e armëve dhe municioneve luftarake”;

Qazim Merkaj 25 vjeç, lindur dhe banues ne lagjen Nr. 5 Kavaje, për veprat penale “Vrasje në rrethana të tjera cilësuese e kryer në bashkëpunim, e mbetur në tentativë" dhe “Mbajtje pa leje e armëve dhe municioneve luftarake";

Agron Kollçaku 39 vjeç, lindur dhe banues ne lagjen Nr. 6 Kavaje, për veprat penale të “Moskallëzim i Krimit” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës".

Në kërkim
Denis Aliu 33 vjeç, lindur dhe banues ne lagjen Nr. 1 Kavaje, për veprat penale “Vrasje në rrethana të tjera cilësuese, kundër dy ose më shumë personave", “Vrasje me paramendim, e kryer në bashkëpunim e ngelur në tentativë' dhe “Prodhim dhe mbajtje pa leje e armëve dhe municioneve luftarake”.


/Ora News.tv/