Presidenti amerikan Donald Trump do të njohë Jeruzalemin si kryeqytet të Izraelit, pavarësisht paralajmërimeve për të mos e bërë një gjë të tillë. Kjo konfirmohet nga zyrtarë të lartë të administratës amerikane, të cilët gjithsesi shtojnë se Trump nuk do ta zhvendosë menjëherë ambasadën e Shteteve të Bashkuara nga Tel Avivi në Jeruzalem. 

Ndërkohë sot, presidenti Trump pritet të mbajë një fjalim pikërisht për këtë çështje. Me njohjen e Jeruzalemit si kryeqytet i Izraelit, Shtetet e Bashkuara bëhen vend ii parë që e bëjnë këtë që prej themelimit të shtetit në 1948.

Liderët arabë paralajmëruan më herët kreun amerikan të shtetit të mos e zhvendoste ambasadën amerikane në Izrael drejt Jeruzalemit, duke thënë se kjo do të ishte një “provokim flagrant për muslimanët”.

Statusi i Jeruzalemit – një vend i shenjtë për izraelitët dhe palestinezët – është tepër i diskutuar. Izraeli gjithnjë e ka parë Jeruzalemin si kryeqytet, ndërkohë që palestinezët kërkojnë që Jeruzalemi lindor të jetë kryeqytet i shtetit të ardhshëm palestinez. Kujtojmë se Izraeli ka ndërtuar mijëra vendbanime në Jeruzalem që prej vitit 1967, por sovraniteti i shtetit mbi këtë qytet nuk është njohur kurrë ndërkombëtarisht.

/Ora News.tv/