Visar Ymeri ka dhënë dorëheqjen e parevokueshme nga posti i kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje. Përmes një konference për shtyp ai konfirmoi largimin e tij nga çdo funksion brenda partisë, duke bërë të ditur se arsyeja e kësaj dorëheqjeje janë ngjarjet më të fundit në Vetëvendosje dhe shpjegoi gjendjen e përçarë të vitit të fundit nëpër të cilin kaloi kjo Lëvizje. Ymeri tha se në thelb të Vetëvendosjes ka qenë besnikëria ndaj konceptit politik dhe sipas tij kjo nuk po qëndron.

Visar Ymeri nuk do të jetë më kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje. Përmes një konference për shtyp nga selia e partisë, ai ka konfirmuar dorëheqjen e tij të parevokueshme nga çdo pozitë dhe funksion brenda Vetëvendosjes. Ymeri pohoi se ai nuk mund ta drejtojë më këtë lëvizje, pas shpërfilljes ndaj pozitës së tij si drejtues.

Visar Ymeri: Nga dita e sotme kam vendosur të jap dorëheqjen e parevokueshme nga të gjitha funksionet drejtuese në lëvizjen Vetëvendosje, nga pozita e kryetarit, e anëtarit të kryesisë.Më duhet të them që është një ndër vendimet më të vështira që ka kam marrë ndonjëherë, dhe se kjo është një ndër ditët më të vështira që kam përjetuar në jetën time.

Pati fushate linçimi politik

Ai konfirmoi se dorëheqja është shenjë e mospajtimeve të thella për mënyrën se si duhet të funksionojë Vetëvendosje. Ymeri nënvizoi në konferencë se në Vetëvendosje, një grup i drejtuar nga Albin Kurtit kanë fyer ata që mendojnë ndryshe në këtë Lëvizje.

Akuzat më të mëdha Visar Ymeri i ka drejtuar për ata që sipas tij kanë rrënuar frymën e Vetëvendosjes. Ai nënvizoi gjithashtu se në thelb të Vetëvendosjes ka qenë besnikëria ndaj konceptit politik dhe sipas tij kjo nuk po qëndron.

Visar Ymeri: Ka një kohë të gjatë,  më shumë se një vit që po përballemi me një problem në rritje që as nuk e dëshiroj as nuk e përkrah. Jemi munduar e kemi kontribuar të organizojmë një organizatë politike tërësisht ndryshe. Në thelb të këtij organizim kemi pasur tre shtylla: Besnikërinë, besimin e ndërsjelltë mes aktivistëve, dhe vetëmohimi.

Viti i fundit ka nisur të rëndojë themelet e tre shtyllave. Jemi përballur me fushatë sistematike të shpifjeve, lincimeve e etiketimeve nga më të ndryshmet. Njerëzit janë quajtur abuzues e bashkëpunëtorë shërbimesh. Njerëzit që e kanë shpërndarë një propagandë të tillë janë thirrur nën emrin e Albin Kurtit. Disa herë jemi marrë vesh që të ndalohen por nuk ka ndodhur. Nuk e pëlqej metodën e eliminimit politik

Jap dorëheqje në shenjë mos pajtimi me këto zhvillime. Kohët e fundit kam parë intensitet të shtuar të shpërfilljes sime si kryetar dhe organeve drejtuese të lëvizjes. Në këto rrethana është e pamundur të drejtosh dhe nëse nuk drejton atëherë nuk ka kuptim të mbetem kryetar. Shpresoj që dorëheqja ime të jetë alarm për gjëndjen ku ndodhemi dhe të kuptohet nga të gjithë e vecanërisht nga ata që kanë bërë fushatë lincimi. Të heqin dorë nga kjo metodë, ti thërrasin mendjes e të mos shkatërrojnë një organizatë për teka personale.

Kjo parti po përgatitet sakaq për procesin zgjedhor brenda strukturës. Deri më tani, Albin Kurti ka konfirmuar kandidaturën për të rimarrë postin e kryetarit.

I pyetur nëse do ta mbështeste kandidaturën e Kurtit, Ymeri zgjodhi të mos komentonte duke deklaruar se do ta ketë një përgjigje në një dalje të dytë për mediat.

Kujtojmë se Visar Ymeri është vendosur në krye të Vetëvendosjes më 1 maj të 2015.

/Ora News.tv/