Drejtori i Përgjithshëm i Shërbimeve të Transportit Rrugor, Arben Isaraj dha sot (22 tetor) dorëheqjen nga posti. 

Dorëheqja vjen pas arrestimit të vëllait të tij për dy akuza penale. 

Alti Isaraj, 47 vjeç, është arrestuar për "trafikim të armëve dhe municioneve" dhe "shpërndarje të lëndëve narkotike".

Dorëheqja i është dorëzuar kryeministrit Edi Rama dhe vjen pas arrestimit të vëllait të tij nën akuzën e trafikut të kokainës.

Në letrën drejtuesi ministrit të Energjetikës, Damian Gjiknuri dhe në dijeni të kryeministrit Rama, Isaraj shkruan "për të mos ndikuar direkt apo indirekt me pozicionin tim të lartë administrativ, në pavarësinë dhe dhënien e drejtësisë në Shqipëri, jap dorëheqjen nga pozicioni i drejtorit të Përgjithshëm në Drejtësinë e Përgjithshme të Transportit Rrugor".


 

Kush është Arben Isaraj?

Jeta e tij aktive politike dhe publike,  zë fill në vitin 1998-të  me emërimin dhe e ushtrimin e detyrave si Këshilltar Juridik dhe Këshilltar i Sigurisë Kombëtare i disa Kryeministrave dhe ministrit të Mbrojtjes, Inspektor i Përgjithshëm i Shërbimit Informativ Shtetëror, Zëvendësministër i Rendit Publik.

Në zgjedhjet parlamentare mazhoritare të vitit 2005-së, Arben Isaraj kandidoi për deputet në Kuvendin e Shqipërisë, me mbështetjen e Partisë Socialiste, duke shënuar një fitore direkte ndaj rivalit të tij, në zonën zgjedhore nr.95, Qarku Vlorë. Ai kryesoi në vitin 2009-të listën zgjedhore parlamentare në Qarkun e Vlorës duke fituar mandatin e dytë si përfaqësues i popullit.

Gjatë këtyre dy mandateve si deputet i Kuvendit të Shqipërisë (2005-2013) si dhe sekretar e nënkryetar i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Arben Isaraj ishte pjesë përbërëse e komisioneve të përhershme kuvendore të ligjeve dhe sigurisë kombëtare si dhe kryetar e bashkëkryetar i disa komisioneve të posaçme hetimore kuvendore.

Si përfaqësues i popullit në Kuvend dhe anëtar i Kryesisë së Partisë Socialiste në dy mandate, gjatë 8-të viteve në opozitë, pas fitores të 23 qershorit 2013-të, Arben Isaraj emërohet zëvendësministër i Drejtësisë.

Më 2 tetor 2017, ai u emërua si drejtor i përgjithshëm në Drejtorinë e Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor, e njohur ndryshe edhe si drejtoria e targave dhe patentave.


Më 4 tetor 2017, Kastriot Myftaraj shkruante:  Arben Isaraj, drejtori hije që fshihet pas vëllait me rekorde kriminale

/Ora News.tv/