Shpesh vëmë në plan të parë punën, familjen, impenjimet, duke lënë në vend të dytë nevojat vetjake.

'Life Coach' na mëson si t'i dhurojmë vetes një pushim dhe të rigjejmë qetësinë.

Shoqëron fëmijët në shkollë, thërreth hidraulikun, çon qenin shëtitje, hekuros gjithë ato rroba apo kontakton një pastruese, lë takim me dadon, punon shumë, blen fustanin për dasmën e shoqes, përcakton pushimet me shefin tënd.

Përditshmëria mund të jetë e lodhshme dhe mund të çojë në nivel të lartë të stresit, aq sa të dëmtojë shëndetin.

Niveli i stresit shtohet në rastet kur përdor shprehjet "duhet" dhe "jam i detyruar", në vend të "ndjej nevojën për..."

Sigurisht, nuk mund të arratisemi nga detyrat tona, por për të ruajtur sado pak shëndetin e mirë mendor, është thelbësore të dimë se duhen kënaqur nevojat dhe dëshirat tona.

Këshilltarja e Life Coach Marina Corazzi tregon se sa e rëndësishme është të kalojmë një ditë kushtuar vetes dhe si të evitojmë ndjesitë e fajit.

Mëso të krijosh hapësirën tënde: Kur bën diçka për veten, nuk tregon egoizëm, por dashuri për personin tënd. Merr kohën që të duhet dhe përdore duke bërë gjëra që të interesojnë dhe të relaksojnë.

Shpesh është e mjaftueshme të bësh gjëra të vogla për të qenë më mirë. Mos hiq kurrë dorë nga këto momente, edhe pse duket se mund t'i shmangësh lehtë. Përkundrazi, elemino gjithçka që është e kotë.

Dëgjo brenda teje: Jepi liri ndjenjave të tua sepse kjo të ndihmon të jesh në kontakt me veten, mos i anashkalo!

E rëndësishme është të përqendrohesh në atë që po bën tani dhe jo në atë që do bësh në të ardhmen. Kështu do përmirësosh organizimin e kohës dhe nëse e bën një gjë të tillë në hapësirën personale, do e bësh edhe në punë."

Puno për të realizuar ëndrrat e tua:

Shpesh heqim dorë nga dëshirat, hobit, pasione, sporti. Nxirre sërish në pah atë që ke lënë 'në fund të sirtarit' dhe bëji realitet ëndrrat e tua. Sigurisht, duhet kurajo, por mos u frikëso nga një dështim i mundshëm. Mendoje si një mësim nga i cili mund të marrësh forcë për t'u përmirësuar."

Kushtoji një ditë vetes:

Shko jashtë qytetit, organizo një shëttitje, admiro vende të reja, bëj një udhëtim të këndshëm me miqtë e tu. Mbi të gjitha, bëj sa më shumë shaka. Momentet e gëzimit lejojnë të qetësohesh. Ditët që kalon në kontakt me natyrën kanë efekt terapeutik, largojnë ankthin dhe ndihmojnë të jetosh më mirë, duke stimuluar krijimtarinë dhe aftësinë për të zgjidhur problemet.

Do të të ndihmojnë gjithashtu të rizbulosh perceptime dhe emocione që mendoje se i kishe humbur

Bëj sport dhe medito:

Përfito nga hapësirat për të bërë aktivitetin fizik që të pëlqen më shumë, vetëm kështu do përmirësosh fizikun dhe humorin.

Edhe meditimi është efikas për të ulur ankthin, stresin dhe depresionin. Nëse praktikohet rregullisht, rritet rezistenca ndaj presioneve që vijnë nga jashtë dhe rritet përqendrimi dhe efikasiteti cerebral, duke të dhuruar një relaksim të përgjithshëm.

Investo tek vetja: Jeta jote përmirësohet kur i dedikohesh vetvetes. Do jesh plot me energji pozitive, të cilat mund t'i përdorësh në aktivitete të tjera, përfshirë edhe impenjimet profesionale apo familjare.

Investo në gjërat që të bëjnë të përmirësohesh. Investimi tek vetja mundet vetëm të të pasurojë më shumë.

Mos u ndje në faj:

Nëse merr kohën që të duhet për t'iu kushtuar vetes, do arrish të ngadalësosh përhapjen e stresit dhe kjo do të jetë e nevojshme si për marrëdhënien që ke me veten, ashtu edhe në marrëdhëniet me të tjerët.

Mos i nënvlerëso përfitimet që vijnë nga hapësira që i kushton vetvetes, të cilën mund ta drejtosh si të duash dhe me kë të duash.

Do rinohesh ti dhe të tjerët që janë pranë teje. Mos u ndje në faj për kohën që i kushton personit tënd.

/Ora News.tv/