Shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, do të ndërmjetësojë takimin e radhës ndërmjet presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe atij të Serbisë, Aleksandër Vuçiç.

Në një njoftim të zyrës së zonjës Mogherini thuhet se ata do të vazhdojnë diskutimet për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, dhe do të vlerësojnë punën e vazhdueshme në zbatimin e marrëveshjeve ekzistuese.

Takimi i fundit ndërmjet tyre është mbajtur në Bruksel më 20 shtator të vitit 2017 në Neë York, më ndërmjetësimin e zonjës Mogherini, në dritën e zotimeve të bëra në dy takime që u zhvilluan në korrik dhe në fund të muajit gusht në Bruksel, kur ata ishin pajtuar për një fazë të re të bisedimeve ndërmjet të dyja palëve, përtej çështjeve teknike.

Vitin e kaluar presidenti serb hapi një dialog të brendshëm serb për zgjidhjen e çështjes së Kosovës, pavarësinë e së cilës ajo vazhdon ta kundërshtojë, por është përfshirë në një proces bisedimesh në shkëmbim të afrimit më strukturat evropiane.

Ai është zotuar të vazhdojë rrugën evropiane por edhe të ruaj lidhjet me aleatin e saj Rusinë, një dëshirë e nacionalistëve serb që nuk pajtohen me pavarësinë e Kosovës. Kosova mbetet çështja kryesore në bisedimet e Serbisë për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Kjo është ritheksuar edhe në fillim të muajit shkurt, kur Komisioni Evropian shpalosi Strategjinë për Zgjerimin me vendet e Ballkanit Perëndimor, që është një nga zhvillimet e rëndësishme për rajonin gjatë këtij viti. Në muajin prill, Komisioni Evropian do të publikojë raportin e përparimit të këtyre vendeve, ndërsa në muajin maj në Sofje, pritet të mbahet takimi i lartë i vendeve të Ballkanit Perëndimorë. Strategjia e zgjerimit do të diskutohet më pas në qershor në takimin e lartë të Bashkimit Evropian, ndërsa në korrik në Londër do të mbahet takimi i radhës i vendeve të Ballkanit Perëndimorë.

Këto zhvillime shihen si një përpjekje e ripërtërirë e Bashkimit Evropian për një qasje ndryshe ndaj rajonit të trazuar për shkak të rritjes së ndikimit rus, krizës së emigracionit, rrëshqitjes së Turqisë drejt autoritarizmit dhe synimit për të forcuar integrimin evropian pas largimit të Britanisë në vitin 2019.  /VOA/

/Ora News.tv/