Java që vjen do të jetë vendimtare për dosjen ku është i përfshirë ish Ministri i Brendshëm Sajmir Tahiri. Burime të Ora News bëjnë me dije se  prokurorët e çështjes do të mblidhen  për të diskutuar mbi fatin e dosjes , pasi afati i fundit hetimor përfundon më 17 janar.

 Hetimet ndaj ish-ministrit nisën në tetor të vitit të kaluar, ndërsa Prokuroria e Krimeve të Rënda ka zgjatur disa herë afat e hetimet, pasi nuk ka mundur të sigurojë të gjitha provat që implikojnë Tahirin në trafikun e drogës me Habilajt.

Ndërkohë një javë me parë grupi i prokurorëve vendosi ndarjen e dosjes dhe dërgimin  në gjyq  për 9- të të pandehur, mes te cilave edhe  Habilajt  për katër akuza.

 Aktualisht kanë mbetur në hetim  tre ish drejtues të policisë dhe ish ministri i Brendshëm të cilët  akuzohen si  kanë qënë pjesë dhe kanë  ndihmuar në trafikun  ndërkombetar të lëndës narkotike .

Në 12 Maj, Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda caktoi masën e sigurisë arrest shtëpie për Tahiri, vendim i cili u prish nga Gjykata e Apelit dy javë më vonë. E njëjta gjë ndodhi dhe me bllokimin e pasaportës. 

Aktualisht Saimir Tahiri po hetohet në gjendje të lirë. Ish-Ministri i Brendshëm akuzohet se ka bashkëpunuar me grupin e Habilajve për trafikim të lëndëve narkotike dhe shpërdorim detyre.

Prokuroria e akuzon edhe për korrupsion ish-ministrin, pasi ka përfituar dhurata nga Habilajt për shkak të ndihmës që ka dhënë. Pavarësisht akuzave, ish-ministri gjithmonë i ka mohuar ato. Ndërsa prokuroria e  Katanias pak muaj më parë vendosi pushimin e hetimeve pasi nuk gjeti prova për përfshirjen e tahirit në trafikun e drogës.

/Ora News.tv/