Izet Haxhiaj, i dënuar për bashkëpunim në vrasjen e Azem Hajdarit u ekstradua në Rinas për t’u përballur me drejtësinë shqiptare. Ish-truproja i Sali Berishës u shoqërua drejt ambienteve të 313-s, nën masa të rrepta sigurie dhe brenda 2 ditësh do të mësohet nëse do të rihapet procesi gjyqësor për vrasjen e Hajdarit apo Haxhiaj do të vuajë dënimin prej 25 vitesh burg.

Izet Haxhia kthehet në Tiranë 20 vjet pas arratisjes nga Shqipëria. Ish-truproja i Sali Berishës është dënuar me 25 vite burg për vrasjen e Azem Hajdarit, ngjarje kjo e ndodhur shtatorin e vitit 1998.

Pak para orës 20.00 të së martës, 2 furgonë të trupës së shoqërimit të Drejtorisë së Burgjeve kaluan murin e sigurisë së aeroportit të Rinasit.

Avioni mbërriti në orën 20.10 dhe agjentët e Interpolit u siguruan për të marrë gjeneralitetet e plota të personit që ishte ekstraduar.

Një fotografi për procedurë në komisariatin e Rinasit shpërndahet nga zyra e shtypit në Policinë e Shtetit, e cila lajmëron për mbërritjen e Haxhisë.

Asnjë familjar i tij nuk ishte i pranishëm në Rinas. Një tjetër furgon i “Shqiponjave” mbërrin për të shtuar masat e sigurisë.

Në orën 20:37, katër automjetet e eskortës nisen me shpejtësi drejt ambientit të burgut 302 në Tiranë.

Haxhia u arrestua në vitin 2006 në Turqi, por vetëm në shkurt të këtij viti drejtësia turke miratoi ekstradimin.

Pak javë më parë u vetëdorëzua në policinë turke. Fati i Izet Haxhisë do të mësohet brenda këtyre 2 ditëve, kur Gjykata e Tiranës do të vendosë për fatin e tij, ndërsa ky mbetet një moment i paqartë procedurial, pasi nuk dihet nëse do të rihapet gjykimi për vrasjen e Hajdarit apo Haxhia do të vuajë dënimin që togat e zeza të Tiranës dhanë në mungesë në vitin 2002, pasi ai ishte larguar në vitin 1999 .

Vetë 52-vjeçari, nga Babina e Tropojës, ka kërkuar një proces të drejtë gjyqësor dhe është shprehur se ka prova që fajësojnë ish-kryeministrin Sali Berisha si pjesë e skenarit që çoi në ekzekutimin e Azem Hajdarit pak metra larg selisë blu.

Njoftimi i policisë: 

Ekstradohet nga Turqia, Izet Haxhiaj , i dënuar me 25 vjet burg për vrasje

Nga Specialistët e Interpol Tirana u bë  ekstradimi nga Turqia drejt Shqipërisë, i shtetasit shqiptar:

Izet Haxhiaj, 52 vjeç, lindur në Babinë, Tropojë.

Shtetasi Izet Haxhiaj është shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë me vendim penal nr. 316, datë 29.04.2002 e ka dënuar me 25 vjet burg për veprat penale “Vrasje në rrethana të tjera cilësuese e kryer në bashkëpunim”, “Vrasje me paramendim e kryer në bashkëpunim” dhe “Vrasje me paramendim të mbetur në tentativë, e kryer në bashkëpunim”, parashikuar nga nenet 79/c-25, 78-25 dhe 78-25/22 të Kodit Penal.

Përmbledhje e ngjarjes së ndodhur:

Në datë 12.09.1998, rreth orës 21:15, pranë ish Selisë Qëndrore të Partisë Demokratike në Tiranë, janë vrarë me armë zjarri shtetasit A. H., deputet i Kuvendit të Shqipërisë, shtetasi B. Ç. truproja e tij dhe është plagosur rëndë shtetasi tjetër Z. N.
Hetimet kanë zbuluar se shtetasi Izet Haxhiaj, ka qenë një prej autorëve të kësaj ngjarje.


/Ora News.tv/