Italia prin aleancën e ekstremit të djathtë, Salvini: Lamtumirë të majtës, Europa do ndryshojë

Italia prin aleancën e ekstremit të djathtë, Salvini:

E djathta ekstreme në Europë pritet të formojë një koalicion parazgjedhor që do të garojë për zgjedhjet europiane në muajin maj. Aleanca pritet të konfirmohet gjatë një takimi të thirrur të hënën e ardhshme në Milano nga anëtari i kabinetit qeveritar italian, Mateo Salvini. Pjesëmarrësit do të parashtrojnë një sërë idesh për "Europën ndryshe", mes tyre sovranitet më të madh nga Brukseli, politika më të ashpra emigracioni, dhe ruajtjen e identitetit europian.

Partitë e ekstremit të djathtë në Europë pritet të formojnë një aleancë shumëpalëshe me synimin për të garuar si një forcë e vetme në zgjedhjet e ardhshme europiane.

Mediet italiane raportojnë se koncepti i një koalicioni parazgjedhor përpara votimeve të fundmajit është hedhur nga ministri i Brendshëm dhe zëvendëskryeministri italian, Mateo Salvini.

Kryetari i partisë djathtiste "Lidhja", i njohur për deklaratat e tij nacionaliste dhe polemizuese, do të organizojë të hënën në Milano një takim me përfaqësues të spektrit radikal të djathtë nga rreth 20 shtete të kontinentit të vjetër.

Mes tyre janë "Partia për Liri" e Austrisë, lideri i Alternativës për Gjermaninë, kryetarja e opozitës radikale në Francë, Marin Lë Pen, partia anti-emigracion e Finlandës, madje edhe partia e kryeministrit hungarez, Viktor Orban.

Sipas organizatorëve, mesazhi i tyre do të jetë shkrirja në një grup të vetëm e partive euroskeptike që garojnë pas disa javësh për poste në Parlamentin Europian.

Pjesëmarrësit në takim pritet të paraqitin propozime për një "Europë ndryshe", duke parashtruar ide si mbrojtja e vlerave të krishterimit dhe identitetit kombëtar, ashpërsimi i politikave të emigracionit në BE, dhënia fund e fondeve europiane për Turqinë dhe kufizimi i pushtetit të Brukselit në lidhje me politikat ekonomike të shteteve anëtare.

Takimi i javës së ardhshme është komentuar nga disa prej pjesëmarrësve si fillimi i "pranverës europiane" që do i sjellë dëme të konsiderueshme aksit "gjermano-francez" i cili prej kohësh dominon politikat më madhore të kontinentit.





EMISIONET