Një shqiptar, i cili u kap duke vjedhur materiale ndërtimi në Gallarate, të Italisë është dënuar me 1 vit e 4 muaj burg.

Një qytetar kishte parë nga dritarja e shtëpisë së tij teksa në një shtëpi përballë, që ishte në ndërtim e sipër dy persona po vidhin materiale ndërtimi. Ai kishte lajmëruar policinë, të cilët ishin nisur menjëherë.

Mediet italiane raportojnë se personat ndihmonin njëri-tjetrin, pra njëri i merrte materialet nga shtëpia dhe i çonte në oborr, ndërsa tjetri i merrte prej andej dhe i fuste në makinë.

Pasi policia arriti pranë vendit të ngjarjes, një makinë me xhama të zinj parakaloi me të kuqe semaforin, për t’i shmangur kapjes. Ata vijuan ndjekjen për disa kilometra, duke bërë të mundur ndalimin e një shtetasi shqiptar 34-vjeçar.

Në makinë u gjetën një pjesë e madhe e pajisjeve të ndërtimi, vlera e të cilave shkonte deri në 35 mijë euro, që më pas iu kthyen pronarit të ligjshëm.

/Ora News.tv/