Nis gjyqi i grupit të Habilajve në Itali, të arrestuarit kërkojnë gjykim të shkurtuar

Nis gjyqi i grupit të Habilajve në Itali, të arrestuarit

Në Gjykatën e Katanias në Itali është mbajtur seanca e parë gjyqësore ndaj 14 personave të akuzuar si anëtarë të grupit të Moisi Habilajt. 

Nën masa të forta sigurie, mësohet se Moisi Habilaj është transferuar nga burgu për në sallën e gjyqit, ku për shkak të masave të forta nuk është lejuar prania e kamerave. 

Në seancën që zgjati mbi dy orë, të gjithë të pandehurit nëpërmjet avokatëve mbrojtës kanë kërkuar gjykim të shkurtuar, çka nëse pranohet nga gjykatësi Maria Cardillo, ata do të përfitojnë uljen e 1/3-s së dënimit.

Seanca e radhës së tyre është lënë për më 26 shtator të këtij viti, kur edhe do të vendoset nëse do të pranohet gjykimi i shkurtuar.

Në gjykatën e Katanias, ka pasur edhe familjarë të të akuzuarve të mbërritur nga Shqipëria. 

Moisi Habilaj, Nezar Seiti dhe Maridian Sulaj janë marrë në pyetje edhe nga prokurorët shqiptarë që po hetojnë ish-ministrin Saimir Tahiri.

Aktualisht në kërkim është vetëm një nga pjesëtarët e grupit të Habilajve, Florian Habilaj, ndërsa pjesë e procesit gjyqësor të nisur sot sipas mediave lokale italiane, nuk do të jetë Nazer Seitaj, i arrestuar në Shqipëri dhe i dërguar në Itali me shumë polemika. 

Seitaj konsiderohej si financier i bandës së trafikut të drogës nga Vlora në Katania.


EMISIONET