Itali, kryeministri Conte kërcënon me largim, rrezik për zgjedhje të reja

Itali, kryeministri Conte kërcënon me largim, rrezik për zgjedhje

Përplasjet e vazhdueshme mes dy aleatëve politikë të qeverisë italiane kanë detyruar kryeministrin e vendit, Xhuzepe Konte, që t'u japë atyre ultimatum për pajtim, përndryshe ai do të dorëhiqet dhe vendi do të shkojë në zgjedhje të parakohshme.

Kryeministri i Italisë i ka bërë thirrje dy partive të koalicionit qeverisës të lënë mënjanë ndasitë ose ta çojnë vendin drejt zgjedhjeve të reja.

Xhuzepe Konte kërcënoi të hënën me dorëheqjen e tij pasi grupimi ekstremist "Lidhja" dhe aleati tjetër populist "Lëvizja 5 Yjet" kanë ngritur dyshime rreth të ardhmes së kontratës që lidhën vitin e kaluar.

Conte: "Nëse qëndrimet e dy liderëve politikëve nuk janë konsistente dhe parimore, apo transparente dhe kushtetuese siç unë kam vepruar deri tani, do e dorëzoj mandatin tim në duart e presidentit të republikës. Secila palë duhet të marrë përgjegjësitë e veta, dhe për këtë më duhet një përgjigje e qartë dhe e shpejtë nga dy forcat politike."

Kreu teknokrat i kabinetit u caktua vitin e kaluar me një rol përbashkues në krye të qeverisë, por me kalimin e muajve atij i është dashur të ndërmjetësojë dallimet e thella mes dy partive qeverisëse, që nisin nga politikat ekonomike, tek emigracioni madje edhe festat kombëtare.

Përplasjet janë ashpërsuar më tepër në javët e fundit pasi partia e zv.kryeministrit Mateo Salvini fitoi 34 për qind të votave në zgjedhjet europiane, ndërsa homologu tjetër Luixhi di Maio mori vetëm gjysmën.

Kryeministri Konte tha se vëmendja duhet të kthehet te buxheti i vitit të ardhshëm dhe manovrat ekonomike, për të fituar besimin e tregjeve financiare.

Në fundjavë qeveria italiane pritet të marrë një letër nga Brukseli rreth hapave që duhet të ndërmarrë për të evituar masat disiplinore disa miliarda euro për shkeljen e rregullave të deficitit dhe borxhit publik.

EMISIONET