Lëvizja 5 Yje ka festuar dje në komunën Pomigliano D' Arco, vendlindja e liderit të saj Luigi Di Maio, fitoren në zgjedhjet e 4 marsit.

Në podiumin e fitores  përballë mijëra simptizantëve, Luigi Di Maio i ka dhënë një mesazh të qartë të gjitha forcave të tjera politike.

Luigi Di Maio :"Ne jemi forca e vetme politike që kemi fituar këto zgjedhje, na takon të qeversim e se pa ne në qeveri , legjislatura e re vështirë që të nis punën".

"Ne jemi të hapur e të gatshëm për të dialoguar me të gjitha forcat e tjera politike, u shpreh Di Maio, por duhet të jenë ata që të vijnë të diskutojnë me ne. Është për t'u zgjedhur Kryetari i Dhomës së Deputetëve dhe i Senatit e pa konsultimet tona kjo legjislaturë nuk do nis punën. Ne duam të qeverisim e do të ndjekim të gjitha procedurat institucionale për të pasur drejtimin e vendit."

Në fjalën e tij, lideri i Lëvizjes 5 Yje, ka sulmuar dhe koalicionin e Qëndrës së Djathtë, i cili është dhe formacioni politik fitues i këtyre zgjedhjeve.

"Lëvizja 5 Yje, tha ai, nuk është as e majtë dhe as e djathtë. Koalicioni i djathtë u përça menjëherë pas zgjedhjeve. Berlusconi thotë "Unë jam lider", Salvini thotë "Unë jam kryeminsitër."

Lëvizja 5 Yje ka marrë mbi 32% të votave në këto zgjedhe me një fitore të thellë sidomos në jug të Italisë, në territoret e shënuara nga problemet e mëdha ekonomike e papunësia e lartë.

"Ju kanë trajtuar si njerëz të mjerë, që duan para, por ju doni vetëm të drejta, tha Di Maio. Sot nuk ka më shtet e Lëvizja 5 Yje kërkon të ndërtojë shtetin e ri italian. Asgjë nuk është e pamundur. Kemi përgjegjësinë mos të tradhëtojmë besimin e popullit. Me Lëvizjen 5 Yje nis Republika e Tretë e Italisë, Republika e Popullit."


/Ora News.tv/