Situata e fruthit në vend solli diskutime edhe në Komisionin e Shëndetësisë mes opozitës dhe përfqësuesve të ISHP. Rreth 1367 persona, kryesisht fëmijë raportohen të jenë prekur me fruth që prej 2018. Kryetari i Komisionit,Petrit Vasili, kërkoi nga ISHP shpenzimet e fondeve duke i pyetur ndër te tjera se përse nuk kanë shpallur epideminë.

1367 persona janë prekur me fruth në vitin 2018, ndërkohë që nga janari e deri më 5 shkurt ISHP njofton se ka rreth 51 të prekur të tjerë, kryesisht fëmijë nën dy vjeç. 

3 persona kanë humbur jetën nga fruthi në 2018, ndërsa 1 viktimë është shënuar në janar të këtij viti.

Kjo situatë e fruthit solli edhe diskutimin e gjendjes në Komisionin e Shëndetësië.

Gjatë raportimit, Silva Bino, shefja e Departamentit të Sëmundjeve Infektive, tha se Tirana ka ulur ndjeshëm mbulesën vaksinale.

Por, Petrit Vasili i kërkoi ISHP të zbardhte fondet.

Por, sa janë të lindurit e viteve '80-'90 që nuk janë vaksinuar?

ISHP njoftoi se janë gati 40 mijë nëna që duhen vaksinuar, prej të cilave janë vaksinuar 25 mijë, ndërsa janë edhe 10.000 fëmijë  që duhen vaksinuar.

Por, përpos fruthit, një situatë shqetësuese është edhe gripi AH1N1.

Në Vlorë një fëmijë dhe shtatë të rritur janë evidentuar të prekur nga virusi AH1N1.

Pjesë nga debati në Komision

Bino: Numri i shifrave është 1367 raste të konfirmuara dhe gati 2700 raste të dyshuara. Nga këto raste kemi pasur tre vdekje në 2018 dhe 1 vdekje në janar 2019.Grupmosha më e prekur ka qenë grupmosha nën 2 vjeç, pastaj kemi pasur një grupmoshë  16-20 vjeç por shumë më pak e prekur. Rrethi më i prekur është Tirana dhe kryesisht burim infeksioni është Tirana. Përveç Tiranës, rrethet më të prekura kanë qenë Kukësi, Lezha, Durrësi dhe Vlora.

Qoftë në Tiranë apo rretheve kemi pasur importim të rasteve. Pjesa më e madhe e fëmijëve, 80% e tyre, kanë qenë të shtruar në spital. Pjesa e të rriturve,40% janë shtruar në spital. Epidemia pikun e vet e ka pasur në mars dhe prill dhe pastaj numri i rasteve ka ardhur duke u zvogëluar. Në gusht nuk kishim fare raste dhe patëm një ringritje të rasteve në fund të nëntorit. Rastet e fundit janë pothuajse 90% të lidhura me kujdesin spitalor në QSUT.

Petrit Vasili në cilësinë e kryetarit të Komisionit por edhe si njohës i fushës, ngriti shqetësimin për mbulimin vaksinor dhe mosdeklarimin e epidemisë.

Vasili: Boshllëku i vaksinimit është konsideruar një nga fajtorët e këtij rishpërthimi që OBSH e quan më të lartin në 10 vitet e fundit.Nuk kam parë asnjë transferim fondi dhe asnjë mobilizim fondi për blerje të sasive ekstra të vaksinave. Në momente epidemie është detyrim të blesh vaksinë që tërë fashave që ua këshillon si mjet i domosdoshëm ta kenë këtë vaksinë. Cila ka qenë sasia e fondeve të mobilizuara për përballimin e epidemisë?Së dyti, nuk ka një deklarim publik, ditën e deklarimit të gjendjes së epidemisë.

Bino: Janë blerë 30 mijë doza fruth rubeolë dhe 30 mijë vaksinë doza fruth rubeolë parotit. Gati 60 mijë doza shtesë vaksinë me një kosto që shkon 170 mijë dollarë. Sfida jonë është Tirana.

Vasili: Që mbulesa e vaksinimit në Tiranë është 70%, jam i lumtur që nuk jam në drejtimin e Ministrisë së Shëndetësisë se do të kishte qenë një ditë e zezë për të gjithë institucionet e shëndetësisë.

Bino: Mbulesa e përgjithshme është 93%.

Vasili: Ne bëjmë check up dhe nuk bëjmë vaksinim, ky nuk është shëndet publik më pastaj.

Spahiu: Po flasim për fruthin, kryetar i komisionit 47 minuta mund ta kem një minutë për të bërë një pyetje?

Vasili: Nuk ka lidhje. Mbaju, ky është një eksitim i kotë.Bëje pyetjen.

/Ora News.tv/