Bill Klinton dhe Medlin Ollbrajt janë dy nga njerëzit që shënuan lirinë e Kosovës.Të dy ish-shtetarët amerikanë 20 vite më parë ndihmuan vendin të fitojë lirinë pasi përballjet disamujore me forcat serbe lanë mijëra viktima në të dy kampet.

Vendimi më i rëndësishëm ishte miratimi i fushatës së bombardimit të objektivave të ndryshëm serbë, të cilat detyruan Beogradin e kryesuar nga Slobodan Milosheviç më 12 qershor 1999 të kapitullojë pa kushte.

E pas 20 vitesh, ish-presidenti Bill Klinton dhe kryediplomatja amerikane Medlin Olbrajt, kanë mbërritur të martën në Kosovë për të marrë pjesë në aktivitetet që shënojnë pikërisht dy dekada nga çlirimi i vendit prej pushtimit serb.

Klinton u prit formalisht në aeroportin e Prishtinës nga kryediplomati i vendit, Behgjet Pacolli, dhe ish-presidentja e vendit, Atifete Jahjaga, ndërsa mirëseardhjen ia drejtoi edhe kreu i ekzekutivit, Ramush Haradinaj.

Klinton dhe diplomatja Olbrajt konsiderohen si miq të vyer të vendit në një moment vendimtar kur pala serbe mbronte zgjidhjen e konfliktit përmes gjenocidit apo spastrimit etnik, e jo me dialog.

Gjatë ditës, dy ish-zyrtarët e lartë do të priten në takime nga presidenti i vendit Hashim Thaçi dhe kryeministri Haradinaj.

Të mërkurën në mesditë ata dhe shumë personalitete vendore e ndërkombëtare do të nisin kujtimin e 20-vjetorit të ndërhyrjes së NATO-s në krah të ushtrisë së Kosovës.

Më pas, do të zbulohet busti në nder të ish-sekretares së shtetit Medlin Olbrajt, ndërsa një monument i tillë për ish-presidentin Clinton qëndron i ngritur në Prishtinë prej vitit 2009.

Në prag të ceremonive përkujtimore, Shtëpia e Bardhë të martën ftoi dy palët, Kosovën dhe Serbinë, të nxjerrin mësime nga konflikti i tyre i vjetër duke punuar për një marrëveshje gjithëpërfshirëse që përqendrohet te normalizimi dhe njohja reciproke mes tyre.

/Ora News.tv/