Inter është gati të bëj çmendurinë e radhës në merkato.

Skuadra zikaltër nuk po kalon një moment të mirë dhe shpenzimet kanë qënë me pikatore në vitet e fundit. Por duket se prezenca e Beppe Marotta dhe financat e shëndosha të Grupit Suning do të rikthejë shpenzimet marramendëse. Kështu të paktën informon edhe prestigjozja "France Football" që konfirmon se Inter ka shfaqur interes për xhevahirin e Ligue 1, Nicolas Pepe.

Sulmuesi i Lille po shkëlqen në këtë sezon dhe Inter është gati të bëj çmendurira për ta "rrëmbyer" e për ta sjellë në Milano. Lille nuk e lëshon bomberin nga Bregu i Fildishtë për një shifër më të vogël se 60 milionë euro, ndërkohë që Inter është e gatshme ta kalojë atë shifër. Sipas "France Football", zikaltërit do të ofrojnë rreth 70 milionë euro për kartonin e 23 vjeçarit. Një shifër ekstreme për një futbollist të ri, i cili në të ardhmen mund të bëhet një nga kampionët më të mëdhenj në fushën  e blertë.

Për autorin e 20 golave në 35 takime të Ligue 1 ka shfaqur interes Bayern Munich, Manchester United, Arsenal dhe Paris Saint Germain. Ndërkohë skuadra si Olympique Lyonnais, Schalke 04 dhe Sevilla kanë nisur tashmë kontaktet e para me agjentët e lojtarit. Pepe mund të aktivizohet në të gjithë pozicionet e sulmit, duke i shtuar një tjetër virtyt cilësive të tij.

/Ora News.tv/