Intensifikohen negociatat Athinë-Shkup, por nuk ka shumë optimizëm

Intensifikohen negociatat Athinë-Shkup, por nuk ka shumë

Negociatat Athinë-Shkup për zgjidhjen e çështjes së emrit vlerësohet se ndodhen në fazën e tyre më vendimtare.

Të enjten, Ministri i Jashtëm grek Nikos Kotzias do të mbërrijë në kryeqytetin fqinj, ku do të takohet me udhëheqjen e vendit, përfaqësues të partive shqiptare dhe të opozitës.

Ndërsa të premten Kotzias do të takohet në Vjenë me homologun maqedonas, Nikolla Dimitrov, për të vazhduar negociatat, në praninë e të dërguarit të posaçëm të OKB-së, Matthew Nimetz.

Në prag të këtyre takimeve, Athina dhe Shkupi kanë shkëmbyer edhe paketat me propozimet përkatëse, që do të hidhen në tryezën e diskutimeve.

Edhe pse përmbajtja e këtyre propozimeve nuk është bërë e njohur zyrtarisht, përshtypja e parë është se nuk ofrojnë shumë hapësirë për optimizëm rreth një marrëveshje të mundshme.

Sipas portalit "Hellasjournal" që pretendon se ka një kopje të propozimeve greke, Athina shtron 7 pika kyçe per marrëveshje me Shkupin.

Ndër to përfshihet ndryshimi i Kushtetutës së Maqedonisë, përcaktimi i identitetit nacional të bëhet me marrëveshje, ashtu si dhe i gjuhës që për Athinën kurrësesi nuk mund të quhet “gjuha maqedonase”.

Sa i përket emrit, Athina pranon që të vendoset një prej pesë emrave të propozuar më herët nga negociatori Nimetz, por ka refuzuar me këmbëngulje emrin aktual, Republika e Maqedonisë.



EMISIONET