Tregu 2 trilion dollarësh i aseteve në Bashkimin Europian është vënë në fokusin e analistëve që kur Presidenti i Bankës Qëndrore Europiane, Mario Draghi, hodhi idenë e një plani te ngjashëm me atë të rezervës federale për të luftuar deflacionin. Gjate deklaratës së tij të fundit, kreu i Bankës Europiane ka dhënë shenja te qarta se institucioni që ai drejton është i gatshëm të hedhë më tepër para në treg për të blerë asete, gjithnjë nëse niveli i inflacionit në bllokun e monedhës së përbashkët vazhdon të ngadalësohet. Presidenti Draghi e ka cilësuar rritjen e euros si një arsye të fortë për të vepruar si dhe ka rikonfirmuarse Këshilli drejtues i Bankës Qëndrore Europiane është i angazhuar të përdorë mjete të zakonshme,por edhe të jashtëzakonshme për të përballuar problemin e inflacionit të ulët. Përveç kësaj Draghi konstatoi se kursi i këmbimit është një faktor i rëndësishëm në vlerësimet e bankës për stabilitetin e çmimeve, pavarësisht se siç u shpreh ai, normat e këmbimit nuk janë në vetvete një objekt i politikës monetare, por një rritje e kursit të këmbimit nënkupton shtrëngimin e kushteve monetare, që ndikon në rënien e inflacionit dhe kërcënon rritjen ekonomike. Ai shtoi se Banka Qendrore do të jetë e detyruar të ndërhyjë në treg duke blerë asete, nëse përkeqësohen pritshmëritë afatmesme për inflacionin. Inflacioni tejet i ulët në Bashkimin Europian është një nga problemet më të mëdha me te cilën po perballen krerët e shteteve. Tashme frika mbi këtë tregues do te jetë edhe më e lartë, pasi rënia e inflacionit gjatë marsit në nivelin më të ulët që nga nëntori i vitit 2009 është konfirmuar zyrtarisht vetëm pak ditë më parë nga Zyra Europiane e Statistikave, Eurostat. Për muajin mars inflacioni në Eurozonë ra në 0.5%, një nivel ky shumë larg objektivit afatmesëm të Bankës Qëndrore Europiane prej 2%.

/Ora News.tv/