Presidenti Ilir Meta e quan 'dekorim" proceduren e shkarkimit që Kuvendi ka ndërmarrë pasi ai, si kreu i shtetit firmosi anulimin e 30 qershorit si datën e zgjedhjeve vendore. Në një intervistë për gazetaren Sonila Meço në emisionin "Tempora" kreu i shtetit tha  me ironi se ndihej si në një procedurë dekorimi nga një parlament të cilin e akuzoi për bllokimin e qëllimshëm të ndërtimit të Institucioneve të reja të drejtësisë dhe të Gjykatës Kushtetuese në mënyrë të veçantë.

Meta thote se në Shqipëri ekziston vetëm një konflikt madhor, "nëna e të gjitha konflikteve": Është konflikti i Kryeministrit Edi Rama me pluralizmin politik

  Pjese nga intervista

 Sonila Meço: Jemi në Presidencë. Përballë kam Kreun e Shtetit. Për herë të parë në historinë e pluralizmit shqiptar një President, në një intervistë në kushtet kur Parlamenti ka ndërmarrë një procedurë për shkarkimin e tij. Si ndiheni si President nën hetim administrativ dhe me procedura shkarkimi?

 Presidenti Meta: Në fakt unë e konsideroj si një procedurë dekorimi sepse nuk shoh asnjë shkelje të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, aq më tepër natyrisht, e them me trishtim, nga një Parlament që ka thyer çdo rekord në shkeljen e qartë dhe flagrante të Kushtetutës së Shqipërisë edhe falë një kontributi që ka po ky Parlament për bllokimin e qëllimshëm të ndërtimit të Institucioneve të reja të drejtësisë dhe të Gjykatës Kushtetuese në mënyrë të veçantë. 

Pra, ndihem në procedurë dekorimi sepse nuk e di se cilin nen të Kushtetutës kam shkelur dhe se çfarë dëmi i kam bërë Kushtetutës dhe qytetarëve shqiptarë.

 Sonila Meço: Po ju në ç’ligj jeni bazuar për të marrë një vendim, për të cilin akuzoheni se keni ndërmarrë një vendim antikushtetues?

 Presidenti Meta: Unë jam bazuar në pluralizimin politik, që është shtylla e gjithë Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë. Së dyti, jam bazuar në kompetencën ekskluzive që ka Presidenti i Republikës së Shqipërisë për të shpallur dhe për të caktuar datën e zgjedhjeve lokale të përgjithshme apo të zgjedhjeve parlamentare. Dhe po kështu mund t’ju them që, i pari që ka shtyrë zgjedhjet në Shqipëri është ish-Presidenti Ramiz Alia, i cili edhe pse vinte nga një formim komunist, edhe pse kishte ardhur në pushtet me armë bashkë me partinë e tij në atë kohë, përsëri arriti të tregonte një përgjegjshmëri....

Sonila Meco: Falë dhe një reagimi e kohezioni mbarë popullor

Presidenti Meta:....të veçantë për kohën, po të kemi parasysh vitin ’91 dhe i shtyu zgjedhjet dhe i dha mundësi opozitës së re që të merrte pjesë. Nuk jam duke përmendur dhe rastin tjetër të vitit 2006-2007, kur zoti Rama ishte Kryetar i Bashkisë së Tiranës dhe zoti Berisha ishte Kryeministër, ku përsëri u shty data e zgjedhjeve për shkak të një certifikate që zoti Rama kërkonte në atë kohë si garaci që të mos manipuloheshin zgjedhjet. Nuk po përmend dhe precedentë të tjerë, nga paraardhës të tjerë. Nuk e di, cilin nen të Kushtetutës kam shkelur.

 Sonila Meco: Më shumë se cilin keni shkelur, po mbi ç’ligj jeni bazuar. Ju ma thatë qartësisht ‘pluralizmi’.

 Presidenti Meta: Janë ta qarta. Ajo që dua t’ju them ju është sepse, edhe ju ndoshta ndonjëherë edhe pse jeni gazetare me shumë përvojë, bini pre padashje e një propagande ‘sorosiste’ që përsërit gjithmonë të njëjtën gjë, të njëjtin refren, jashtë çdo fakti, jashtë çdo akti, që është pikërisht ky që, edhe sot e kësaj dite, në asnjë gjykatë të Republikës së Shqipërisë dhe po kështu në asnjë gjykatë ndërkombëtare që ka juridiksion ndaj Republikës së Shqipërisë, nuk ka një padi apo një ankesë ndaj Dekretit të Presidentit të Republikës.

Sonila Meco: Kishte një zgjidhje fjalësh shumë interesante, janë disa tema që ju vetëm në një fjali keni hapur horizontin për të marrë drejtimin e bisedës. Unë do të ndjek pak atë logjikë që kisha nisur që në fillim dhe do të ndalem edhe tek propaganda ‘sorosiane’, dhe tek fakti që unë si gazetare me përvojë nuk arrij dot që të dal....

 Presidenti Meta: Unë kërkoj ndjesë.....

Sonila Meco: Jemi pushtete të pavarura zoti Meta, kështu që nuk ka problem. Unë jam pushteti i katërt dhe ndihem komode. Megjithatë kam një pyetje. Është fiksuar në kujtesën kolektive shqiptare batuta e famshme e Ilir Metës, jo vetëm si President, prandaj dhe referova me emrin tuaj të përveçëm, “me qetësi dhe dashuri”. Është zëvendësuar krejt papritur nga sarkazma, ironia, shpeshherë dhe nervozizmi.  Pse ky ndryshim?

Presidenti Meta: Së pari, një President, mendoj se duhet gjykuar nga aktet që Ai bën edhe sa këto i shërbejnë interesit publik edhe interesit kombëtar, dhe në këtë drejtim duhet të kemi parasysh që anëtarësimi i Shqipërisë në Europë dhe në këtë këndvështrim dhe çelja e negociatave, janë interes kombëtar, sepse ky është një drejtim strategjik i përcaktuar që nga studentët e Dhjetorit ku unë kam kam qenë një prej tyre, e deri më sot nga të gjithë shqiptarët.

Së dyti, këto historitë – Pse e tha kështu Presidenti, pse e tha ashtu. Pse doli, bëri postim në plazh me rroba plazhi dhe nuk doli me kostum dhe me kollare, që të tregonte seriozitet....

Sonila Meco : Keni pasur goxha kritika.

Presidenti Meta: ...Këto janë tamam histori ‘sorosiste’. Presidenti gjykohet nga aktet. Cili akt i Presidentit ka sjellë një dëm për Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, për qytetarët shqiptarë, për interesin publik, interesin kombëtar për integrimin europian.

Përkundrazi, të gjitha aktet kanë synuar pikërisht këtë gjë. Pra, që të mbrojnë këto interesa. Të mbrojnë Kushtetutën dhe parimet e saj, dhe kjo është detyra parësore e një Presidenti. Të mbrojë pluralizmin politik. Të mbrojë të drejtën e qytetarit për të zgjedhur, jo për të votuar. Kanë votuar shqiptarët 45 vite, në qetësi absolute, me festë, daulle, 100%, etj.

Sonila Meco : Po numëroj herët që keni përmendur Sorosin dhe do të vazhdoj t’i numëroj deri në pikën ku t’ju pyes.

Presidenti Meta: Do ta them këtë gjë sepse është një kulturë që nuk ka të bëjë thjesht me personin, po ka të bëjë me manipulimin dhe propagandën. Pra, asnjëherë nuk i referohemi akteve, Kushtetutës, ligjit, vendimit, por i referohemi propagandës. Përsëritet një gjë, e ka shkelur Presidenti kështu. Ku e ka shkelur? Cilin nen të Kushtetutës?

Sonila Meco: Duhet të na e thotë Gjykata Kushtetuese. Po presim krijimin e saj.

Presidenti Meta: Kush është ankuar? Ku janë ankuar?

Sonila Meco:  Edhe në Kolegjin Zgjedhor në fakt nuk ka pasur një vendim të goditur.

Presidenti Meta: Të shkojnë në Gjykatën Europiane. Të shkojnë në Gjykatën e Strasburgut.

Sonila Meco: Sigurisht. Edhe në Kolegjin Zgjedhor nuk pati një goditje të drejtpërdrejtë të dekretit tuaj.

Presidenti Meta: Kolegji Zgjedhur e ka shumë të përcaktuar se me çfarë merret. Meqë hymë tek propaganda ‘sorosiane’, janë të paparë, keqinformojnë. Thonë - Kolegji Zgjedhor këtu si Kolegji Zgjedhor në Amerikë. Por, në Amerikë Presidenti është subjekt i garës, vetë. Mund të ankohet vetë, mund të ankohet dikush tjetër. Janë dy gjëra krejt të ndryshme. Dy sisteme të ndryshme, pavarësisht se në thelb janë dy sisteme të sundimit të ligjit.


Po ta kisha dëgjuar Viktor Orbanin me seriozisht më mirë do të ishin gjërat në Shqipëri

Sonila Meco: Nuk dua të merrem që tani me Sorosin sepse jam përballë me Kreun e Shtetit shqiptar dhe do merrem pak më vonë.

Presidenti Meta: As unë nuk dua të merrem me të, por pa dashje jemi viktimë prej 20 vitesh të një propagande të tillë.

Sonila Meco: Ju e kuptuat tani?

Presidenti Meta: Në fakt, po ta kisha dëgjuar Viktor Orbanin më seriozisht në janar të vitit 2000, më mirë do të ishin gjërat në Shqipëri.

Sonila Meco: Kjo referencë me Viktor Orbanin na ka krijuar jo pak probleme në opinionin publik.

Presidenti Meta: Pse? Çfarë ka opinioni me Viktor Orbanin?

Sonila Meco:  Janë një pjesë shumë e rëndësishme analishtësh për atë që Viktor Orbani përfaqëson, edhe në perceptimin politik që ekziston dhe gjeopolitik në lidhje me të.  Për Presidentin e Republikës, citimi i një njeriu i cili ka akuza të forta për rekordet demokratike brenda vendit të tij. Është normal ky citim?

Presidenti Meta: E para, unë nuk jam këtu për të përcaktuar shkallën e demokracisë në Hungari.  E di çfarë po më kujton kjo që po më thoni për Viktor Orbanin? Kjo më kujton, kur unë isha Kryeministër në vitin 2000, dhe pyes para se të shkoja për pushimet e verës se çfarë programi kishim për në vjeshtë. Këshilltarët më thonë, - kemi një vizitë zyrtare për të bërë në Austri, por Ministria e Jashtme dhe ne mendojmë, si staf, që kjo vizitë mos bëhet sepse BE ka vendosur sanksione ndaj Kryeministrit  Schüssel meqë ka bërë koalicion me partinë e Haider-it, si parti ekstremiste, hera e parë që ndodh kjo gjë. Kështu që ne mendojmë të mos shkoni atje në Austri, ta shtyjmë për më vonë që të shohim si do shkojë kjo punë. Unë i them, - kush jam unë që do t’i them ‘Jo’ Kryeministrit të Austrisë që është zgjedhur në mënyrë legjitime nga austriakët, që është anëtar i BE-së dhe që është përfaqësues i një vendi që ka dhënë maksimumin që të ketë një shtet shqiptar në 1912-n dhe në vazhdimësi.
Kështu që, unë shkova atje sepse unë nuk mund t’i jepja leksion demokracie as Austrisë, aq më tepër dhe në kushtet aktuale Hungarisë apo çdo vendi tjetër anëtar të BE-së. Nuk e kam këtë të drejtë. Pasi unë vajta në Austri mbaj mend që vajtën dhe shumë të tjerë. Kështu që kjo referenca për Orbanin më duket përsëri një shpikje ‘sorosiste’. Nuk mendoj kurrë që situata në Hungari është më problematike se sa në Shqipëri.

Sonila Meco: Pra, që nga koha e Viktor Orbanin që ju bëri një lloj sinjalizimi në lidhje me çështjen e Sorosit, ju vetëm vonë zoti President, me ardhjen e verës së 2019-s dhe me temperaturat e larta, hodhët idenë e këtij komploti. Dua të qëndroj pak. Argumentimi kryesor që i jepet për liderë të caktuar edhe kur ndaj tyre ka akuza për sjellje jodemokratike, është që kanë dalë me votën e popullit. Të njëjtën gjë e thotë dhe Kryeministri Edi Rama, - kam dalë nga vota e popullit.

Presidenti Meta: Ashtu është, por s’ka dalë akoma rezultati, u bënë tre javë nga zgjedhjet, që unë i quaj ‘votime socialiste’.  

Sonila Meco: I referohet zgjedhjeve së përgjithshme të 2017-s, që pas shuplakave 1 milionshe të 2013-s, të pranuara nga të gjitha forcat politike. Kështu që edhe zoti Edi Rama, i cili sot në fakt ju akuzon ju në mënyrë të drejtëpërdrejtë si ‘armik të Kushtetutës’, ‘armik i vendit dhe i Shqipërisë’ ....


Presidenti Meta: Pse? Kam vënë në diskutim kufijtë e Shqipërisë apo kam vënë në diskutim kufijtë e shtetit të Kosovës? Çfarë armiqësie kam bërë unë ndaj vendit dhe kombit?

Sonila Meco: Marrëdhënia juaj me Edi Ramën zoti Meta është e hershme. Le të themi që ka shenjuar një pjesë të rëndësishme të tranzicionit shqiptar dhe pluralizmit shqiptar. Një marrëdhënie me ulje-ngritje, e cila në momente të caktuara ka shenjuar dhe fatet e drejtimit politik.

Presidenti Meta: Marrëdhëniet e mia me të gjithë aktorët politikë në vend kanë qenë gjithmonë mjaft korrekte nga ana ime.

Sonila Meco: Mund të shihet në dy këndvështrime ky raport sot si ai midis Presidentit dhe Kryeministrit, por jo pak opinioni publik e sheh si raportin midis dy individëve të rëndësishëm në një raport kompleks Rama-Meta.

Presidenti Meta: Nuk është e vërtetë. Kjo është prapë një shpikje ‘sorosiane’. Sot në Shqipëri ekziston vetëm një konflikt madhor, që është nëna e gjithë konflikteve...

Sonila Meco: Cila?

Presidenti Meta: Është konflikti i Kryeministrit Edi Rama me pluralizmin politikme demokracinë dhe me shtetin e së drejtës, që bazohet në ndarjen e pushteteve dhe në respektimin e ‘check and balance’. Ky është problemi. Pastaj, ai që ka konflikt me median, kazanin siç e quan ai, apo me Presidentin kur si pëlqen. Kur i pëlqen thotë, - është më i miri që ka pasur Shqipëria. S’ka thënë të vërtetën sepse Shqipëria ka pasur gjithmonë Presidentë shumë të mirë. Problemet që ka me gjykatat. Kur gjykata jep një vendim që i intereson atij, thotë, - është shumë e mirë. Kur jep një vendim që s’i intereson atij, - e bën nul. Problemet që ka me Parlamentin, me të gjithë. Nuk është se kjo është diçka e re. Pra, ky është një njeri që nuk gjen dot rehat me demokracinë.

Sonila Meco: Nuk gjen do të rehat, por edhe në deklaratat publike që keni bërë respektivisht në kohë të ndryshme, edhe kur keni qenë në kohën e ‘luftës së ftohtë’ mes jush, edhe kur keni qenë pas tretjes së mirë të ngjalave, ideja ka qenë që ju keni një raport personal interesant.

Presidenti Meta: Po të ishte për raporte personale, duhet të keni parasysh që raportet e mia me Berishën kanë qenë mjaft të vështira, pastaj më ndryshe, edhe me Ramën dhe me këdo. Unë po të nisem nga pozitat personale, kam frikë se do të kisha marrë vendime të tjera, por unë gjithmonë nisem nga gjykime politike dhe nisem në interes të vendit, dhe pranoj dhe atë rezultat apo ata interlokutorë që na jep qytetari shqiptar herë pas herë përmes zgjedhjeve që bëhen apo që bëheshin.  

Sonila Meco: Keni ngrënë një drekë që ju e përmendët para se të bënit komunikimin e parë publik me gazetarët. Çfarë është folur në atë drekë?

Presidenti Meta: Nuk ka ndonjë arsye për të thënë se çfarë është folur nëpër dreka apo darka.

Sonila Meco: Po pse e përmendët atëhere?

Presidenti Meta: ...ato janë dreka apo darka të tilla ku shkëmbehen mendimet të lirshme, të natyrshme.  Presidenti apo ndonjë politikan gjithmonë gjykohet nga veprimet e tij publike, nga ndonjë akt publik, nga qëllimet e mira, nga pasojat pozitive apo negative që ai jep. Qëllimet e mia kanë qenë tepër pozitive dhe nuk besoj se ka ndonjë suprizë për vendimin tim të çështjes së shfuqizimit të dekretit të datës 30 qershor për arsye se unë që më 24 maj publikisht, kur kemi një reagim zyrtar të CDU / CSU-së në Bundestagun gjerman për krizën në Shqipëri, dhe që ata kërkojnë që për të mirën e së ardhmes dhe të çeljes së negociatave të Shqipërisë, pra me gjithë situatën, të vendoset dialog, të shikohet mundësia e shtyrjes së zgjedhjeve vendore që ato të jenë gjithëpërfshirëse, të të ofrojnë madje që ata të marrin një rol moderues midis palëve, unë e kam shprehur publikisht, zyrtarisht, me deklaratë zyrtare, gatishmërinë time edhe për të rishikuar datën e zgjedhjeve vendore, pasi palët të binin dakord. Dhe vazhdimisht kam marrë iniciativa të tilla, edhe informalisht, sepse...

Rama kur ka degjuar keshillat e mia ka dale i fituar 


Sonila Meco:  Unë vazhdoj të këmbëngul.

Presidenti Meta: ...sepse unë mendoj se është marrëzi që ne pas tridhjetë vitesh të shkojmë në zgjedhje pa opozitën.

Sonila Meco
: Do të shkoj edhe aty. Tani dua të qëndroj edhe pak te raporti me kryeministrin Edi Rama, sepse në momentin kur kreu më i lartë i shtetit...

Presidenti Meta: Unë raportet me të i kam shumë të mira kur nuk i preken interesat e tij. Kaq.

Sonila Meco: Në fakt është e çuditshme: sa herë keni qenë bashkë i keni dhënë fitoren së majtës, sa herë jeni ndarë...

Presidenti Meta: Sa herë që ai i ka dëgjuar mendimet e mia, këshillat e mia, nuk i ka dalë keq. Sa herë i ka dëgjuar, jo vetëm të miat, por edhe të të tjerëve. Kur nuk i ka dëgjuar... Unë nuk i imponohem dot.

Gazetarja: Keni komunikime me zotin Rama?

Presidenti Meta: Komunikime në çfarë drejtimi?

Gazetarja: Ju dolët përpara publikut dhe folët për një drekë. Hani më dreka apo darka?

Presidenti Meta: Unë vazhdoj të pres.

Sonila Meco: 
Institucionalisht e di që nuk ju përgjigjet.

Presidenti Meta: Ia kam çuar edhe me shkrim.

Sonila Meco: Institucionalisht e di që nuk ju përgjigjet. Në nivel personal?

Presidenti Meta
: Unë kam durim. Nuk jam i padurueshëm. Jam i durueshëm.




/Ora News.tv/