Një 'Far West" i vërtetë tronditi qytetin e Mamurrasit mesditën e së mërkurës, 23 shtator 2015, kur dy grupe rivale pasi kanë përplasur makinat kanë qëlluar në drejtim të njëri tjetrit me armë zjarri nga brenda makinave. 

Nga përplasja me armë mbeti i vrarë Naim Tafa, i cili kishte vetëm 15 ditë që kishte dalë nga burgu në Itali ndërsa u plagosën 4 persona, Arjan Tafa, Idriz Tafa, Besim Gjetani dhe Altin Coku. 

Policia e shtetit zbardhi në mbrëmje dimanikën e ngjarjes që shkaktoi panik mes banorëve të qytetit të vogël dhe që ndodhi rreth orës 11:30 në hyrje të qytetit.

Sherri mes dy kushërinjve Mamli dhe konflikti me Naimin-  Fillimisht Enrik dhe Dorian Mamli, kushërinj mes tyre, janë konfliktuar. Shkak ishte shoqerimi i Dorianit me shtetasin Naim Tafa. Enriku i kishte kërkuar kushëririt te vet, që të mos shoqërohej me Naim Tafën dhe të afërmit e tij pasi  me këta persona ka pasur konflikt të mëparshëm jashtë shtetit.

Doriani rrihet me Enrikun - Por Dorian Mamli, nuk i është bindur kushëririt të tij duke i thënë që i ka shokë dhe do shoqërohet me ta. Ky konflikt verbal mes dy kushërinjve ka agravuar  në konfrontim fizik. Dorian Mamli ka lëvizur me  makinën tip Audi A4 me targe AA 111 BN në drejtim të banesës së tij dhe është kthyer për tu mjekuar në ambulancën e qytetit Mamurras, ndërsa Enrik Mamli është larguar  me automjetin e tij tip Range Rover me targa AA 481 JT në drejtim të banesës së vet.

Naim Tafa i zë pritë Enrikut- Duket se Doriani do të ketë konsumuar ndonjë bisedë me Naimin pasi gjatë rrugës në hyrje të qytetit Mamurras, pikërisht në hyrje të rrugës për tek Stacioni i Trenit, mjeti tip Benz me targa AA 077 CN, në të cilën ndodheshin Naim Tafa, Arjan Tafa (alias Taulant Bedri), Gazmir Elezi (alias Gentjan Tafa) ka përplasur automjetin tip Range Rover me targa AA481JT të drejtuar nga shtetasi Enrik Mamli.

Personat që ndodheshin në makina hapin zjarr ndaj njëri-tjetrit-Pas përplasjes , makinat në fjalë kanë ndaluar dhe personat që gjendeshin në to, nga brenda makinave kanë qëlluar me armë zjarri ndaj njëri tjetrit, ku për pasojë ka gjetur vdekjen shtetasi Naim Tafa dhe janë plagosur shtetasit Arjan Tafa, Idriz Tafa, Besim Gjetani dhe Altin Coku. Idriz Tafa, Besim Gjetani dhe Altin Coku kanë qënë jashtë automjeteve.

Sekuestrohen 12 gëzhoja dhe arma e krimit-Në vendin e ngjarjes janën sekuestruar në cilësinë e provave materiale 12 gëzhoja fishekësh të armëve të zjarrit, 11 prej të cilave brenda në makinën e shtetasit Enrik Mamli, e cila është gjetur e braktisur rreth 300 m larg vendit të ngjarjes. Në vijim të veprimeve të kryera lidhur me këtë ngjarje, është bërë e mundur kapja e njërit prej autorëve të ngjarjes Enrik Mamli si dhe arma e zjarrit e tip automatik mod 56 kal 7.62mm e përdorur prej tij, arme e cila është sekuestruar në cilësinë e provës materiale. Gjithashtu janë marrë e sekuestruar automjetet e përfshira në vendin e ngjarjes, si dhe një sere veprimesh të tjera hetimore.

Arrestohet Enrik Mamli-Në lidhje me këtë ngjarje është bërë arrestimi në flagrancë i shtetasit Enrik Dod Mamli, i datëlindjes 11.05.1987 lindur dhe  banues në Zheje, Njesia Administrative Mamurras, rrethi Kurbin   per veprat  penale “Vrasje e kryer në rrethana të tjera cilësuese” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municioneve” parashikuar nga nenet 79/dh , e 278/5 i K.Penal.

Naim Tafa ka qenë i dënuar në Itali për vjedhje-Viktima Naim Tafa ka qënë i dënuar në Itali për vjedhje, dhe ka dalë nga burgu me datë 08.09.2015 ku është kthyer në Rinas si i depërtuar, me masë 10 vjet, të mos qarkullojë në hapësirën Shengen.

 Detajet

Perplasja me arme ne oren 11: 30, 23 shtator 2015 ne Mamurras

 Viktima: Naim Tafa
Të plagosur: Arjan Tafa, Idriz Tafa, Besim Gjetani dhe Altin Coku. Të plagosurit janë dërguar për ndihmë mjekësore në spitalin e Traumës Tiranë.  

I arrestuar: Enrik Mamli një prej autorëve 

/Ora News.tv/