Jose Mourinho gjatë qëndrimit të tij në "Old Trafford" nuk ka bërë vetëm armiq. Menjëherë pasi drejtuesit i komunikuan shkarkimin, pjesa më e madhe e futbollistëve të Manchester United filluan të festonin, por ka edhe nga ata që e vlerësojnë kontributin e trajnerit portugez.

Romelu Lukaku thotë se Mourinho ka bërë shumë për Manchesterin duke shtuar se ai meriton respekt.

"Nuk mund t'i krahasoj dy trajnerët. Unë besoj se Mourinho ka bërë shumë për këtë klub. Ai fitoi trofe, kështu që unë kam shumë respekt për të. Për më tepër ai është trajneri që më solli këtu”,-tha sulmuesi belg për "Eleven Sports".

Ole Gunnar Solskjaer mori ekipin dhe ka impresionuar si pasardhës i tij, duke marrë tetë fitore radhazi, por Lukaku nguron të flas për diferencat mes portugezit që e solli atë te United për 75 milionë sterlina dhe atë që aktualisht është në krye.

"Solskjaer sapo ka filluar historinë e tij këtu. Unë shpresoj që të gjithë të shkojnë mirë dhe ta mbyllin sezonin në katër vendet e para dhe të fitojmë një trofe",-deklaroi ish-ylli i Everton.

Mourinho mori frenat e ekipit nga "Old Trafford" në verën e vitit 2016,  dhe fitoi tre trofe në fushatën e tij debutuese. Sezonin e kaluar "Djajtë e Kuq" u renditën në vend të dytë, por këtë fushatë ishin shumë larg pritshmërive dhe drejtuesit e shkarkuan. 

/Ora News.tv/