Përcillet për në banesën e fundit studiuesi i artit Gëzim Qendro. Homazhet për nder të tij u bënë në bibliotekën e Galerisë Kombëtare të Arteve, të cilën ai e themeloi në vitin 2001 me më shumë se 2000 tituj. Ishte një nga pikat kthesë që Qendro i dha këtij institucioni, deri atëherë të izoluar me fanatizëm.
Suzana Kuka: "Librat që erdhën në bibliotekë janë libra krejt të ndryshëm, të pa cekur, të paprekur le të themi edhe nga studiuesët edhe nga publiku shqiptar, edhe nga studentët. Pra bëri një bibliotekë model"
Rexhep Ferri ka ardhur nga Kosova t'i shprehë mirënjohjen këtij njeriu që i vuri në një nivel të ri marrëdhëniet me artin në Kosovë dhe Ferrit piktor modernist i ka kushtuar një monografi.
Rexhep Ferri: "Do t'i mungojë shumë një personalitet i tillë siç ka qenë Gëzim qendro: i përgatitur, kulturës së arteve pamore shqiptare, në përgjithësi"
Gjatë 4 viteve Qendro rinxorri në dritë 90% të fondit të veprave të realizmit socialist. Sipas një propozimi konceptual, që ndeshi në mjaft rezistencë, ai i ekspozoi në dy linja: "Surrealizmi socialist”, “Homo Socialisticus”, propozime që gjetën jehonë në muze ndërkombëtarë të artit.
Suzana Kuka: "Artistët u përballën përpara një situate tjetër: panë mundësitë e veta përballë artit kontemporan botëror"
Që diktatura komuniste kishte lënë pas të gjallë një trup politik, ishte një nga tezat për të cilën Qendro ka punuar gjatë. E kanë ndjerë veten fatlum ata artistë që fituan vëmendjen e tij dhe sot kanë arsye të jenë të trishtuar.
Enkelejd Zonja: "Ka vënë një gur të rëndësishëm në kritikën e artit shqiptar dhe sidomos të asaj periudhe, duke qenë se ishte një dijetar dhe njohës i mirë i artit, por siç thashë dhe i asaj periudhe sepse e ka ngritur në një nivel akoma më të lartë" 
Arti pamor humbi para kohe Gëzim Qendron, por ajo çfarë la pas artisti është një pasuri për kulturën e vendit.


/Ora News.tv/