Shkodra i dha lamtumirën e fundit, Shyqyri Alushit, mjeshtrit të fundit të Ahengut. Miq e kolegë shprehen keqardhje dhe ishin kritikë për kujdesin e munguar të shtetit për  artistët.

Mjeshtri i fundit i ahengut Shkodran u përcoll me homazhe në teatrin "Migjeni", ku interpretoi para publikut për vite me radhë.

Kolegë, familjare dhe miq, u përkulën përpara trupit të pajetë të Shyqyri Alushit që ndërroi jetë në moshën 85-vjeçare. 

 "Kur vdes bilbili, kënga në pyll e ka pak zor me e marrë veten".

Për shumë prej tyre vendin e fjalëve e kanë zënë lotët, megjithatë kujtimet me Shyqyri Alushin i kanë të shumta. 

Ndjejnë keqardhje që shteti po i vlerëson përherë e më pak këto artista të medhenj, që dhanë shumë nga vetja.

"Vetëm për një gjë më vjen keq se nuk i ka rënë askujt në mend për këta artista si shumë e shumë të tjerë".

Bujar Qamili: Ai i dha shumë këtij qyteti por nuk mori shumë me vete sepse meritonte më shumë.

Kujtim Alia: Kemi modele më shumë se të mira për t'ju servirur të vegjëlve që i janë futur fushës së këngës.

 “Artisti i Merituar” dhe njëherësh krenaria e qytetit të Shkodrës, Shyqyri Alushi, la pas një trashëgimi të pasur muzikore ndërsa do të mbahet mend për origjinalitetin e të kënduarit dhe muzikën e pastër qytetare.

/Ora News.tv/