I “Ftuar Nderi” në Kolegjin e Mbrojtjes së NATO-s, Meta: Shqipëria mbështet zgjerimin e Aleancës

I “Ftuar Nderi” në Kolegjin e Mbrojtjes së NATO-s, Meta:

Presidenti Ilir Meta, në kuadër të 10-vjetorit të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO zhvilloi një vizitë si i ftuar nderi në Kolegjin e Mbrojtjes së NATO-s, në Romë. Në fjalën që mbajti përpara përfaqësuesve ushtarakë të vendeve anëtare të NATO-s, kreu i shtetit nënvizoi se Shqipëria është e gatshme të marrë të gjitha përgjegjësitë që i kërkohen në kuadër të Aleancës.

“Shqipëria është e gatshme të marrë të gjitha përgjegjësitë që i kërkohen, veçanërisht në përmbushjen e rolit të saj të pazëvendësueshëm si faktor stabiliteti në rajon, si promotore e palodhur e bashkëpunimit dhe integrimit rajonal, si mbështetëse e vendosur e politikës së ‘Dyerve të Hapura’ të NATO-s dhe si partnere strategjike e Aleancës përmes një politike të jashtme koherente dhe të besueshme.”

Presidenti Meta u shpreh se anëtarësimi i Kosovës dhe vendeve të tjera të rajonit në aleancë krijon një klimë sigurie në Ballkanin Perendimor.

“Shqipëria mendon se përshpejtimi i hapave të Kosovës dhe vendeve të mbetura të rajonit drejt NATO-s dhe Bashkimit Europian do t’i shërbente jo vetëm sigurisë dhe qëndrueshmërisë afatgjatë të Ballkanit por edhe bashkëpunimit dhe zhvillimit ekonomik dhe rritjes së investimeve të huaja, kryesisht nga vendet e  Aleancës dhe të Bashkimit Europian. “

 Kolegji i Mbrojtjes së NATO-s në Romë është institucioni më i njohur për mendimin strategjik dhe profesional ndaj çështjeve të rëndësishme të sigurisë dhe marrëdhënieve transatlantike. Ai është themeluar në vitin 1951, nga ish-Komandanti i parë, dhe “babai i NATO-s”, General Dwight D. Eisenhower. 

EMISIONET