Një shqiptar me emrin Hektor Mahmutaj, i dënuar me 25 vite burg për vrasjen e një fermeri në vitin 1997 në Fier, është arratisur në Britaninë e Madhe.

Autoritetet britanike e kishin lënë të lirë me kusht në pritje të ekstradimit për në Shqipëri për të vuajtur dënimin, por Hektor Mahmutaj, 43 vjeç ka shfrytëzuar momentin dhe është larguar.

Sipas medieve britanike, mahmutaj kishte hyrë në vendin e tyre i fshehur në një kamion, ndërsa përdorte 13 identitete të ndryshme, për t’i shpëtuar gjurmimit të policisë. Pas arrestimit, në tetor të vitit të kaluar gjykata pranoi kërkesën e autoriteteve shqiptare që ai të ekstradohej në Shqipëri, ndërsa Mahmutaj u la i lirë me kusht kundrejt garancisë 10,000 mijë dollarë.

Shqiptari Mahmutaj kundërshtoi ekstradimin, pasi sipas tij do t’i shkelen të drejtat e njeriut. Ai është dënuar për vrasjen e Gentjan Jahajt, në korrik të vitit 1997 në një fshat të Fierit.

Shqiptari, baba i dy fëmijëve i mohoi kategorisht akuzat për vrasjen e Fierit, duke deklaruar se u arratis nga frika e një hakmarrjeje të mundshme, e cila mund të kryhej nga vrasësi i vërtetë.

/Ora News.tv/