Hyatt Regency & Residences Tirana do të jetë hoteli i parë me 5 yje në Shqipëri për të sjellë cilësi për turizmin elitar. Kastrati Group ka nënshkruar marrëveshje me gjigantin amerikan të hotelerisë Hyatt Hotels Corporation. Ambjentet e Mak Albania Hotel do të pësojnë ndryshime në kapacitete akomoduese sipas standardeve të larta, ku do të ofrohen shërbime luksi për turizmin elitar.

Kryeqyteti shqiptar do të ketë për herë të parë një hotel me 5 yje për turizmin elitar.

Kastrati Group ka nënshkruar një marrëveshje 2-vjeçare me gjigantin e hotelerisë amerikane “Hyatt Hotels Corporation”.

Ambjentet e Mak Albania do të marrin emrin e  Hyatt Regency & Residences Tirana, ku përveç rritjes se kapaciteteve akomoduese, do të ndërtohen edhe vila me standarde të larta në krah të hotelit.

Leonard Kastrati: Kastrati Group nis një rrugëtim të gjatë me një nga brandet më të njohura ndërkombëtare në menaxhimin e hoteleve luksoze. Kemi gati projektin për zgjerimin e kapaciteteve të hotelit ekzistues dhe zhvillimin e vilave.

Takuya Aoyama: Ne do ta bëjmë këtë një histori suksesi jo vetëm për Tiranën, jo vetëm për turizmin e Shqipërisë, por për miqtë tanë.

Kryeministri i vendit, Edi Rama, gjatë ceremonisë u shpreh se ky është një investim i rëndësishëm për turizmin elitar si dhe për ekonominë e vendit.

Edi Rama: Kemi qenë i vetmi vend në Europë dhe në rajon pa asnjë hotel me 5 yje. Nënshkruajmë sot me “Hyatt”-in, kjo përbën edhe një vlerë të shtuar në imazhin e vendit.

Ndërsa Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi, shprehu entuziazmin për marrjen e kësaj pasaporte të turizmit nga vendi ynë.

Blendi Klosi: Kjo pasaportë e standardeve më të lartë të cilësisë në turizëm vjen sot në Shqipëri.

Hyatt Regency & Residences Tirana është vizioni i qartë për turizmin elitar, ku me këtë marrëveshje Tirana bëhet kryeqyteti i katërt në Evropën Juglindore që bashkëpunon me brandin prestigjoz amerikan.


/Ora News.tv/