Në legjislaturën e re të sapo zgjedhur nga vota e 4 marsit, për herë të parë Dhoma e Senatit në Parlamentin italian do të ketë një senator me ngjyrë dhe i përket forcës politike Lidhja e Veriut.

Duket e çuditshme por italo-nigeriani Tony Iwob është senatori i parë italian me ngjyrë i zgjedhur nga radhët e Partisë Lidhja e Veriut.

Kriza e emigracionit e zbarkimet e emigrantëve klandestinë që kanë pushtuar gjatë viteve të fundit Italinë kanë qënë kryefjala e fushatës elektorale të liderit të Lidhjes së Veriut Matteo Salvini, duke u kritikuar fort nga kundërshtarët politikë për racizëm e homofobi.

Por ja që i vetmi emigrant i zgjedhur në Senatin italian vjen nga radhët e kësaj force politike dhe është një rast historik për Parlamentin italian.

62-vjeçari Tony Iwob ka lindur në Nigeri, është një sipërmarrës i vogël informatik, jeton në qytetin e Bergamos e prej 25 vitesh është anëtar i partisë Lidhja e Veriut.  

Ka lindur në qytezën e vogël Gusau, në verilindje të Nigerisë, në një familje me 11 fëmijë.

Në Itali ka mbërritur me një vizë shkollimi. Ka mbaruar dy Universitete. Në Itali është diplomuar në shkencat e komunikimit ndërsa në Manchester ka mbaruar Universitetin për Ekonomi Biznes.

Tony Iwob prej 2014 është përgjegjës për Departamentin e Emigracionit në Partinë Lidhja e Veirut dhe prej shumë vitesh dhe këshilltar në komunën Spirano të Brgamos ku Lidhja e Veriut mori në këto zgjedhje mbi 46 % të votave për dhomën e deputetëve e mbi 48 % për Dhomën e Senatit.

"Miqtë të mi me shumë emocion  ju komunikoj se jam zgjedhur Senator i Republikës Italiane. Pas 25 vitesh betejë me familjen e madhe të Lidhjes së Veriut po nis një aventurë të madhe" është mesazhi i tij menjëherë pas rezultatit të zgjedhjeve.

Gjatë fushatës elektorale senatori italo-nigeriani është shprehur se "diskriminimi lind atëherë kur emigracioni i paligjshëm është i shfrenuar duke i paraprirë padrejtësive sociale e pasigurisë."

Ndërsa për Matteo Salvinin, racizmi në Itali i përket vetëm të majtës.


/Ora News.tv/