1. Presidenti ka injoruar parimin dhe germën kushtetuese lidhur me emërimin e Ministrit. Vendimi nuk lidhet me emrin, por me parimin. Nëse pranohet logjika se Presidenti ka të drejtë të mos dekretojë shkarkime apo emërime ministrash, atëherë do duhet të pranojmë edhe logjikën se Presidenti ka të drejtë të përzgjedhë qeverinë, duke iniciuar ose refuzuar emërimin & shkarkimin e kryeministrit dhe të ministrave. Kjo përbën një ndryshim thelbësor në sistemin qeverisës dhe devijim nga modeli kushtetues i Republikës në Shqipëri. 

Në praktika të tilla nuk është çështje nëse Presidenti është “i fortë” ose jo, por është çështje parimi e standardi, të cilin e kanë respektuar secili president shqiptar nga viti 1991 (Alia, Berisha, Meidani, Moisiu, Topi, Nishani) pavarësisht ndryshimeve kushtetuese në kompetenca të tjera. Tre presidentët e parë kanë pasur të drejtë të mbledhin qeverinë, por jo përzgjedhjen e ministrave dhe vendimmarrjet mbi përbërjen e qeverive. Në çdo rast, secili President ka zhvilluar konsulta me ekspertë dhe institucione partnere, praktikë që nuk u zhvillua në rastin

2. Presidenti nuk ka informuar publikun dhe as institucionin e Kuvendit për aktin e tij ekstra-kushtetues. Informimi është detyrim ligjor dhe parim demokratik. Letra e tij adresuar kryeministrit është e gabuar në thelbin e përmbajtjes së saj, pasi Presidenti shprehet me cilësinë e Kryetarit të Këshillit të Sigurisë Kombëtare, organ që sipas Kushtetutës e ligjit, nuk është institucion funksional dhe vendimmarrës kushtetues, por është organ këshillimor i Presidentit të Republikës. Citimi me këtë cilësi është e gabuar dhe pa precedent të mëparshëm. Nga ana tjetër përpjekja e zyrës së Presidentit për të furnizuar median me alibi të ndryshme, është jo serioze, jo shtetërore dhe komprometuese për integritetin e vetë vendimit të Presidentit.

3. Kryeministri gaboi kur çështjen e respektimit ose jo të Kushtetutës dhe devijimin nga parimet kushtetuese republikane e trajtoi si lojë shahu midis dy individëve, njëri prej të cilëve Pre4sident e tjetri kryeministër. Politika është para së gjithash moral, parime e përgjegjësi; standardet e ligjërimit mbi shahun vlejnë në biseda lagjesh, me militantë, në parti, por jo në zyrat e larta të shtetit dhe me parimet Kushtetuese. Mosmarrëveshjet midis dy institucioneve kryesore nuk zgjidhen me shah dhe as me kompromise si ai i pesë viteve më parë në Gjirin e Lalzit apo i një viti më parë në zyrën e ish diktoratorit Hoxha. Edhe ftesa “në pritje të dekretit” ka në thelb logjikë jo kushtetuese dhe shkelja e Kushtetutës nuk mund të zgjidhet asnjëherë me një shkelje tjetër. Në një vend demokratik, Kryeministri ka një përgjegjësi shtetërore: të mbrojë Kushtetutën dhe kjo bëhet vetëm duke e dërguar rastin në Gjykatën Kushtetuese. Shqipëria ka Gjykatë Kushtetuese, por nuk ka funksionale vendimmarrjen e saj. Cdo akt tjetër është alibi, ikje nga përgjegjësia dhe ftesë për kompromise individësh mbi institucionet dhe parimet kushtetuese.

4. Komandimi në postin e Ministrit të kandidatit është gjithashtu i gabuar. Zv/ministri Lleshi është i pari Ministër i Brendshëm jashtë strukturave drejtuese partiake prej vitit 1937, dhe kjo e bën pothuajse utopike ushtrimin cilësor të funksionit të tij, por duke qenë edhe me status me legjitimitet të cunguar (në mungesë të ministrit), kapaciteti e hapësira për ushtrim cilësor të funksionit bëhet edhe më utopik. Mjafton një detaj: sa herë që në parlament do të debatohet mbi rendin publik Lleshi nuk do të mund të marrë pjesë dhe as të flasë, pasi nuk është ministër, duke i mohuar indirekt parlamentit ushtrimin e kontrollit kushtetues mbi Ministrinë e Brendshme. Koncepti i përkohshëm është aplikuar më 2004 dhe më pak më 2007, por rezultoi i pasuksesshëm, pengues dhe me kosto për cilësinë e shtetit të së drejtës, të cilën Shqipëria e ka edhe sot jetike.

5. Opozita përfitoi nga rasti për të atakuar politikisht mazhorancën dhe për të fituar kapitale nga kriza e dhuruar, por ajo meriton vlerësim që nuk mbështeti asnjëherë zyrtarisht vendimmarrjen e Presidentit, duke treguar se është e ndërgjegjshme në parimin kushtetues në raste të tilla. Ish Presidentët Berisha e Nishani janë përballur vetë me situata të tilla dhe është lajm i mirë që arritën të ndajnë parimin nga politika e ditës. Nga ana tjetër, opozita humbi shansin për të prezantuar një platformë afatgjatë ndryshimi në sistemin kushtetues, në funksion të retorikës për Republikën e Re apo korrektimin e vendimmarrjes me pasoja të prillit 2008.

6. Gjykata Kushtetuese me refuzimin e trajtimit të animimit të bërë nga ish Presidenti më 2016 mbi të njëjtën problematikë, indirekt ndikoi në krijimin e krizës së re politike dhe institucionale. Koncepti i ndërhyrjes vetëm pas konfliktit ka vlerë relative, për sa kohë mosmarrëveshjet drejt konfliktit kanë qenë e janë evidente. Nëse Gjykata Kushtetuese më 2004 dhe 2016 do të kishte ushtruar me integritet vendimmarrjen e saj, Shqipërisë do ti ishte kursyer një krizë e re politike dhe energjitë e humbura për konflikte “luksi” si në rastin konkret.

7. Kandidati për Ministër gaboi kur përpara dekretimit, votimit në parlament dhe betimit për detyrën, - doli në media për të shprehur vizionin e tij mbi ushtrimin e funksionit të ri. Një rast i njëjtë më 2002 dhe 2004 ka pasur të njëjtin fund. Kultura shtetërore duhet të jetë tipar për zyrtarët që aspirojnë poste të larta. Debati tjetër lidhur me cilësimet me grada ushtarake për shkak të ish karrierës, marrin vlerë pas dekretimit nga Presidenti, jo përpara dekretimit. Individi bëhet ministër jo kur e propozojnë, as kur e dekretojnë, por kur bën betimin pas votimit në parlament. Ne kemi pasur disa raste kur individët janë propozuar, dekretuar dhe nuk kanë arritur të zgjidhen për shkak se kanë humbur votimin në parlament ose ka pasur mungesë kuorumi për votim.

8. Emërimi i Drejtorit të SHISH ka qenë dhe është i ndarë në dy nivele: në nivel kushtetues midis kryeministrit e Presidentit dhe në nivel politik midis presidentit dhe partnerit kryesor ndërkombëtar. Ky i fundit ndikoi në emërimin e tij dhe zgjidhjen e krizës 1 vjeçare pa drejtim. Vonesa 1 vjeçare për dekretin është një tregues tjetër se koncepti i verifikimit, besimit dhe vlerësimit presidencial nuk ka qenë dhe nuk është standard, por perceptim i personalizuar në funksion të vendimmarrjes politike.

9. Zgjedhja e kryetarit të KLSH është një praktikë bashkëveprimi midis Presidentit e Kuvendit. Pas marrëveshjes politike 1997 ky post i është besuar opozitës. Mandati i fundit ishte devijim nga praktika. Propozimi i Presidentit për kandidaten Tusha është një vendim kushtetues, cilësor dhe simbolik: propozohet anëtari i vetëm i Gjykatës Kushtetuese që ka kaluar vetingun në drejtësi. Sulmet indirekte nga mazhorancë se zonja ka gjykuar 23 vjet më parë një politikan të lartë të PS, nuk janë argument kushtetues dhe as ligjor. Ajo është votuar nga dy mazhorancë parlamentare për në Gjykatën e Lartë dhe Kushtetuese, ndaj është në nderin e Kuvendit të votëbesojë produktin e vetëm pozitiv të vetingut, si kontrollore të buxhetit të shtetit.

10. Në situata e kriza të tilla elitat serioze politike, shtetarët dhe ata që kanë përgjegjësinë të marrin vendime në emër të qytetarëve, - e shfrytëzojnë momentin për zgjidhur me mjete kushtetuese e politike krizat dhe për të reflektuar nga praktikat dhe për të parandaluar me ligj keqkuptimet në të ardhmen. Konkretisht, mësimi kryesor i krizës së nëntorit është se vetë shtetarët duhet të pranojnë përgjegjësinë për vonesën dy vjeçare për reformën në drejtësi me pasojë edhe paralizimin e Gjykatës Kushtetuese. Mësimi i dytë, shteti është gjë serioze për tiu besuar politikanëve që e shohin atë dhe buxhetin si bankë të partive të tyre politike. Mësimi i tretë, kryetari i shtetit duhet të jetë figurë mbi partitë politike dhe pa projekt karriere partiake në të ardhmen. Mësimi i katërt, kryeministri dhe qeveria nuk kanë mandat për të personalizuar shtetin, por për të mirë-qeverisur në 4 vjet vendin. Mësimi i pestë, kur propozojmë gjykatës, ministra dhe zyrtarë të lartë le të mendojmë simbolikisht pak minuta më shumë sesa koha që na duhet për të porositur kafe në lagje. Qeverisja është punë serioze dhe kërkon njerëz seriozë në kulmin e karrierës dhe jo në fillim të karrierës së tyre. Së pesti, e pakuptueshme heshtja e atyre ekspertëve juristë e konstitucionalistë që mburren me CV e poste, por që kur vendi ka një krizë e duhet fjala e tyre, heshtin në pritje të ofertës pragmatiste së radhës nga politika. Së fundi, media dhe gazetarët, analistë e komentatorë janë të lutur të lexojnë kushtetutën dhe ndonjë ligj përpara se të na marrin hapësirën publike duke debatuar mbi to.

/Ora News.tv/