Heqja e bustit të Heroit të Popullit, Vaso Kadia, nga lulishtja që mban emrin e tij në Shkodër e ka vënë Bashkinë e qytetit sërish përballë veteranëve ashtu si në rastin e Monumentit të 5 Herojve të Vigut. Ata akuzojnë kryebashkiaken, Voltana Ademi, për shkatërrim të qëllimshëm të historisë përmes këtyre vendimeve dhe lëniEs në harresë të personaliteteve të spikatura.

11 vjet pas heqjes së Monumentit të 5 Herojve të Vigut, largimi i bustit të Heroit të Popullit, Vaso Kadia, e ka vënë sërish bashkinë e Shkodrës përballë shoqatës së veteranëve të Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare.

Ata akuzojnë kryebashkiaken,Voltana Ademi, për heqjen e bustit nga lulishtja që mban emrin e tij, ndërsa flasin për shkatërrim të qëllimshëm të historisë së Shkodrës.

Zamir Llazani: U interesuam pranë anëtarëve të Këshillit Bashkiak, a ka një vendim të tillë të marrë nga Bashkia. Ka bërë disa veprime që i kanë rënë ndesh dhe e kanë shkatërruar këtë dëshmi historike. Kjo ka filluar me shtëpinë e Luigj Gurakuqit. Ne kemi shkatërruar shtëpinë e Migjenit, të autoritetit që i dëshmoi botës se shqiptarët janë pjesë e Europës.

Burhan Bushati, pjesëmarrës në demonstratën ku mbeti i vrarë Vaso Kadia, dhe kryetar i shoqatës së familjeve të dëshmorëve thotë se veprimi i ka indinjuar ndaj kërkojnë rikthimin e bustit.

Burhan Bushati: E kemi përkujtuar çdo vit këtë dëshmor të parë të Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare në rrethin e Shkodrës.

Bashkia e Shkodrës nuk pranoi të komentojë për heqjen e bustit të dëshmorit të demonstratës së 22 shkurtit 1942 kundër fashizmit.




/Ora News.tv/