Hetimi për Rusinë, Richard Gates pranon fajësinë

Hetimi për Rusinë, Richard Gates pranon fajësinë

Richard Gates, ish këshilltar i lartë gjatë fushatës elektorale të presidentit amerikan Donald Trump pranoi fajësinë për akuzat e ngritura nga Prokurori i Posaçëm Robert Mueller gjatë hetimeve për ndërhyrjen e Rusisë në zgjedhjet amerikane. Ky akt, po komentohet në median amerikane si mundësi që ai të ketë rënë dakord të bashkëpunojë me Prokurorin e Posaçëm Mueller në kuadër të hetimeve.

Një ditë më parë juria në Virxhinia ngriti 32 akuza për shmangie taksash dhe mashtrime bankare, për Richard Gates dhe Paul Manafort.

Akuzat e reja iu shtuan atyre për pastrim parash dhe mosregjistrim si agjentë të huaj, në lidhje me punën e tyre për politikanë pro-rusë në Ukrainë.

Gates bëhet kështu bashkëpunëtori i tretë i ish kampit Trump që pranon fajësinë për akuza penale dhe bie dakord të bashkëpunojë me hetimin e prokurorit të posaçëm Mueller, i cili po përpiqet të zbulojë nëse ka pasur bashkëpunim të fshehtë midis ekipit Trump dhe Rusisë gjatë zgjedhjeve të vitit 2016.

Ish këshilltari i sigurimit kombëtar, Michael Flynn dhe ish këshilltari i politikës së jashtme të fushatës Trump, George Papadopoulos, vitin e kaluar pranuan fajësinë se kishin gënjyer FBI-në lidhur me ndërveprimet e tyre me zyrtarët rusë.

Manafort, i cili ka refuzuar të deklarohet fajtor, akuzohet se me ndihmën e Gates, ka pastruar mbi 30 milionë dollarë përmes llogarive të fshehta në parajsa fiskale dhe se "e ka përdorur pasurinë e tij jashtë vendit për të mbështetur financiarisht një jetesë luksoze në Shtetet e Bashkuara, pa paguar taksa për këto të ardhura".

EMISIONET