Hetimet, policë nga Shqipëria në Turqi për “baronin” e drogës Met Kanani

Hetimet, policë nga Shqipëria në Turqi për

Pak ditë pas referimit të dosjes në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, hetues nga policia shqiptare kanë mbërritur në Turqi për të kryer verifikime në lidhje me Met Kananin, shqiptarin e konsideruar si baron i drogës. Ndërsa ai dhe dhjetë anëtarët e bandës së tij janë lënë në burg nga gjykata, hetuesit shqiptarë po kërkojnë të dhëna për bashkëpunëtorët e grupit në vendin tonë.

Policia shqiptare fillon verifikimet për baronin e drogës Met Kanani. Pas referimit të dosjes në prokurorinë e krimeve të rënda disa ditë më parë, një ekip i policisë shqiptare ka mbërritur në Turqi për të kryer hetime.

Lajmi është bërë publik nga mediat turke sipas të cilave shqiptari i akuzuar për trafikim lëndësh  narkotike në sasi të mëdha, i konsideruar edhe si baroni i drogës, ka dalë para gjykatës turke e cila e ka lënë në burg.

“Haber Turk” citon se ekipi i policisë shqiptare mbërriti në Turqi të premten për të bashkërenduar hetimet në lidhje me linjën e trafikut të drogës. Ndërkohë paraditen e të hënës, Met Kanani dhe dhjetë anëtarët e bandës së tij dolën para gjykatës turke për tu njohur me masat e sigurisë.

Hetuesit shqiptarë mendohet se do të kërkojnë të njihen me të dhënat e mbledhura prej policisë turke për bashkëpunëtorë të grupit të drogës në vendin tonë.

Grupi prej 11 personash u arrestua në një aksion të gjerë të policisë turke më 20 mars kur u sekuestruan edhe 1.1 ton kanabis e trafikut për llogari të shqiptarit Met Kanani.

Ai i kishte shpëtuar disa herë arrestimit nga policia shqiptare dhe të disa vendeve të rajonit përfshi edhe arratisjen e tij vitin e kaluar pas një ndjekje disa orëshe në det gjatë tentativës së trafikimit të 1.3 ton drogë.

EMISIONET