Pazaret e drogës dhe gjakmarrja janë dy pistat kryesore në të cilat po heton policia në lidhje me vrasjen mafioze në qendër të Rrëshenit. Pas grumbullimit të provave hetuesit kanë ngritur dyshimet se Armando Gjini është ekzekutuar nga vrasës me pagesë.

48-vjeçari, Armando Gjini, i cili u qëllua me breshëri në qendër të Rrëshenit në sy të djalit të tij dyshohet se është ekzekutuar nga vrarës me pagesë.

Burimet bëjnë me dije se hetimet për ngjarjen janë përqëndruar në dy pista, pazaret e drogës dhe lidhjet e tij me grupin e Met Kananit, ku edhe ka qenë arrestuar një vit më parë i dyshuar si pjesë e grupit.

Në komisariat janë shoqëruar 10 persona të cilët janë marrë në pyetje dhe më pas janë lënë të lirë.

Një tjetër pistë është edhe gjakmarrja. Mësohet se familja e Gjinit është e përfshirë në një konflikt në të kaluarën duke u kthyer në pistën e parë për policinë, por nuk përjashtohet ajo e borxheve si dhe e kaluara e tij në Belgjikë.

Vrasja e Armando Gjinit ndodhi mesditën e së hënës në në trotuarin e Katedrales së Rrëshenit.

48 vjeçari ka qenë duke udhëtuar me makinë me bashkëshorten dhe dy fëmijët.

Autorët kanë pritur momentin kur bashkëshortja e Gjinit ka zbritur nga mjeti me vajzën, për ta qëlluar duke e lënë të vrarë.

Ndërsa djali i 48 vjeçarit ka parë të gjithë skenën pasi qëndronte në sediljen e pasme të makinës.

Gjini është dërguar menjëherë në spital, por nuk ka mundur tu mbijetojë plagëve.

Në maj, Gjinit iu vu një sasi tritoli në automjet, por në atë kohë ai konstatoi bombën duke i shpëtuar atentatit.

/Ora News.tv/