Helikopterët pajisen me kova të reja për shuarjen e zjarreve

Helikopterët Cougar të Forcës Ajrore janë pajisur me kova të reja për shuarjen dhe lokalizimin e zjarreve në terrene të vështira. Kovat e reja me kapacitet 2500 litër secila, rrisin me 12 herë kapacitetet e Forcave të Armatosura në krahasim me 1 vit më parë kur për shuarjen e zjarreve nga ajri, kontraktohej shërbimi privat. Rritja e kapaciteteve falë mjeteve të reja të montuar në helikopterë mundësohet edhe përmes orëve t më të mëdha të fluturimit që mundësojnë helikopterët Cougar.

Për futjen në përdorim të pajisjeve të reja, u krye një demonstrim në liqenin e Farkës, i cili u ndoq nga afër nga ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka, shoqëruar më pas me një mëngjes pune për emergjencat civile me prefektët e qarqeve, strukturat e Forcave të Armatosura që angazhohen në këto situate si edhe deputetët e Komisionit të Sigurisë Kombëtare.

Ministrja Xhaçka foli për avantazhet që sjellin në përballimin e zjarreve pajisjet e reja, pa harruar të përmendë djemtë dhe vajzat që angazhohen në terren në rastet e emergjencave.

“Prej ditës së sotme, infrastruktura e Forcave të Armatosura është përmirësuar, pas pajisjes së helikopterëve me kovat e posaçme, të cilat kanë një kapacitet prej 2 mijë e 500 litrash uji. Ky kapacitet në fakt është 12 herë më im madh sesa përpjekjet e shkuara po kapacitet e shkuara që nuk kanë qenë tonat por i kemi nënkontraktuar për të adresuar problemin e shuarjes së zjarreve. Përtej infrastrukturës dhe kapaciteteve ushtarake, fuqia dhe forca jonë e vërtetë mbeten pa diskutim djemtë dhe vajzat tona në uniformë që zbresin në terren që në momentet e para kur kërkohet ndihma për sigurimin e jetës dhe pronës së qytetarëve.”- u shpreh ministrja.

Më tej ministrja Xhaçka kërkoi angazhim më të madh nga pushteti lokal, duke filluar që nga buxheti i bashkive, të cilat duhet të parashikojnë fonde për emergjencat civile.

“Pak, për të mos thënë shumë pak, nga 61 bashki në rang territori, kanë vënë në dispozicion për emergjencat 3% të buxhetit të tyre vjetor, siç parashikon ligji. Rezulton se gjatë përballjes së situatave të kaluara, strukturat lokale nuk kishin të përcaktuar drejtuesin e operacionit, siç e parashikon ligji aktual”.

Prefektët vlerësuan kalimin e emergjencave civile nën varësinë e Ministrisë së Mbrojtjes, për shkak të specifikave të veçanta të vendit tonë, por edhe për kapacitetet që ofrojnë Forcat e Armatosura. Ministrja Xhaçka e cilësoi ligjin e ri të emergjencave civile si një reformë të mirëfilltë ligjore, administrative, operacionale dhe strukturore.

“Vlerësuam si të domosdoshme, së pari, të rikonceptojmë sistemin e emergjencave civile, duke e përshtatur menaxhimin e tyre me strukturën dhe rolin e ri në kuadrin e Ministrisë së Mbrojtjes. Prej kohësh kemi nisur punën për projektligjin, drafti i të cilit pritet të përfundojë brenda kësaj vere për tu konsultuar më pas me ju, me pushtetin vendor, me grupet e interesit dhe pa diskutim me ekspertë lokalë e të huaj”deklaroi ministrja e Mbrojtjes.

Deputetët e Komisionit të Sigurisë vlerësuan jo vetëm mjetet e reja me të cilat janë pajisur helikopterët, por edhe qasjen e re të Ministrisë së Mbrojtjes sa i përket emergjencave.


EMISIONET