Të shtunën puna për ndërtimin e Hidrocentralit të Dragobisë ishte ndalur, por ishin pikërisht pamjet mbi lumin Valbonë që vendosën përballë për herë të parë ekspertët dhe banorët e zonës me kompaninë Gener 2. Pjesë e takimit që u zhvillua në Bajram Curri ishte edhe ambasadori amerikan Donald Lu dhe ai i OSBE Bernd Borchard, të cilët mbërritën në qytetin verior mbrëmjen e së premtes.

Ambasadorët u treguan të kujdesshëm në deklarata duke qëndruar neutral me palët por vlerësuan dialogun si hap pozitiv.

Donald Lu: Shpresojmë që diskutimet do të çojnë në dialog afatgjatë që u lejon të treteve të punojnë së bashku për zhvillimin dhe mbrojtjen e burimeve natyrore të Shqipërisë dhe një nga parqet kombëtare më të bukur të Shqipërisë.

Bernd Borchard: Ndërtimi i HEC-eve krijon zhvillim të qëndrueshëm, sjell përmirësim nga ana e biznesit dhe teknologjisë, mundëson dhe elektrifikim. Problemi është si ti bëjmë këto cështje të thjeshta, kjo mund të bëhet vetëm përmes një dialogu të hapur me ekspertë, akademikë dhe banorë.

Por për banorët dhe ekspertë të mjedisit takimi informues është i vonuar. Sipas tyre HEC-et do të dëmtojnë biodiversitetin dhe do të largojnë turistët.

Banorja: Nuk do ketë zhvillim të ekonomisë lokale për shkak se pjesa kryesore i zhvillimit ekonomik të zonës ka qenë zhvillimi i turizmit.

Banori: Njerëzit nuk janë të interesuar për të parë turbina, kanale betoni por për të parë luginën e mrekullueshme të Valbonës dhe lumin më të bukur të Shqipërisë.

Banori: Ky takim që bëjmë ne sot, ose bashkëbisedim duhej të ishte bërë në fillim dhe jo pasi kanë kryer 80% të punimeve.

Banori: Jam dakort që të bëhen HEC-et për arsye se në fshatin tonë nuk ka patur asnjë investim.

Përfaqësuesit e kompanisë Gener 2 dhanë garanci se ndërtimet nuk do të kenë impakt negativ në ekosistem.

Ata theksuan madje se do të kontribuojnë në zhvillimin e zonës përmes projekteve sociale.

Përfaqësuesi i Gener 2: Skema është me derivacion, cka do të thotë nuk ka pellge, nuk ka përmbytje, nuk ka shpronësime, shkatërrime etj. Aty nuk është zonë turistike. Ju e dini mirë që vendi është shumë i thepisur dhe lumi as nuk duket. Por përsëri lumi nuk do thahet, nuk do shkatërrohet asgjë, as bimësia nuk do dëmtohet. Gjatë operimit përfitohen deri në 2 milionë euro në vit. Këtu është fija koncesionare, tatimi mbi fitimin, TVSH-ja, këto janë të ardhura që i shkojnë qeverisë shqiptare.

Ndërimi i dy hidrocentraleve, në fshatin Dragobi dhe Cerem ka nisur në shtator të vitit 2016. Përpos takimeve dhe protestave për anulimeve për lejet e ndërtimit, banorë dhe ekspertë të mjedisit janë duke ndjekur dhe rrugën ligjore.


/Ora News.tv/