Ministri i Mjedisit dhe Turizmit, Blendi Klosi i ftuar në studion e lajmeve të Ora News me gazetaren Ilva Tare sqaroi situatën në kanionet e Osumit, ku sot u anulua procedura për ndërtimin e Hec-it.

Klosi shpjegoi se ka qenë kompania, e cila ka manipuluar shtetin me koordinata të gabuara, ku më pas u dha edhe leja e shfrytëzimit të ujit.

Ai tha se deri në këto momente, në zonë nuk ka asnjë dëm.

I pyetur se nëse do ta çojë në arbitrazh kompania, Klosi tha se nuk ka asnjë informacion. Ndërsa mbajti përgjegjësi për të gjitha veprimet që ka kryer dikasteri që ai drejton, veprime të cilat deri në fund do të bazohen në ligj për të eliminuar dëmin ekonomik.

Pjesë nga biseda në studion e  lajmeve

Blendi Klosi: Në radhë të parë kanioni ishte në rrezik, në radhë të dytë në vendimin për ndikimin në mjedis kishte një problem sepse ishte ngritur mbi disa koordinata të falsifikaura, të gabuar të cilat dhanë lejen për shfrytëzimin e ujit.

Ilva Tare: Të gabuara apo të falsifikuara, se është ndryshim i madh

Blendi Klosi: Të vëna gabim

Ilva Tare: Qëllimisht, me qëllim faslifikimi

Blendi Klosi: Për mendimin tim, gabimisht për të thënë që uji nuk rrjedh në këtë lumë, por do të derdhet në një përrua tjetër që nuk ka ndikim mbi kanion. Megjithatë ajo është një histori që ka nevojë për hetim, është një histori që ka filluar që nga viti 2013, ku është dhënë leje mjedisore, është pezulluar, është dhënë. ..pra një histori që realisht kupton sesi shteti shqiptar i gjykon gjerat shumë pak nga terreni dhe i gjykon nga letrat.

Ilva Tare: A do të ketë faturë financiare, a ka siguri juridike kompania?

Blendi Klosi: Do të doja shumë që në të gjitha veprimet që ka bërë administrata publike, sepse edhe këtu ka të bëjë me sistemin që është mbrapsht sa i përket mjedisit. Pasi është dhënë koncesioni, është marrë vendimi për lejën në Këshillin Kombëtar të Rregullimit të  Territorit  mbi disa dokumenta që janë ndërtuar mbi koordinata të gabuara dhe pa marrë zbardhjen që ka ndodhur vetëm në dhjetor kanë filluar punimet. Ndërkohë që nuk lejohet. Inspektoriati i Mjedisit ka bllokuar punimet apo veprimtarinë, duke i lejuar prap në maj, duke bërë përsëri një veprim të dënueshëm.

Ilva Tare: A ka dëm?

Blendi Klosi: Deri sot nuk ka dëm në terren. Deri sot kishte disa tuba të afruara nga kompania, por nuk kishte filluar montimi.

Ilva Tare: A ekziston mundësia që ata të na çojnë në arbitrazh dhe shteti të paguajë faturë?

Blendi Klosi: Unë mendoj që shteti është një institucion që ndërtohet mbi ligje dhe rregulla, edhe mbi gabimet duhet të gjykohet se kush i ka bërë gabimet. Por nuk mund të bëj pa faj edhe kompaninë që ka paraqitur koordinata të gabuara dhe këto koordinata kanë çuar në gjykim të gabuar nga të gjitha institucionet shtetërore.

Ilva Tare: Keni dijeni ju, a mund të shkojnë në arbitrazh ata?

Blendi Klosi: Nuk kam asnjë informacion për veprimet që do bëjë kompania. Jam ballëhapur për veprimet që ka bërë institucioni që unë drejtoj të cilat janë në mbriojtje të interesave të publikut dhe të gjitha veprimtaritë që do ndërmerret nga sot deri në momentin e bllokimit do të jenë të gjitha të bazuar mbi legjislacionin përkatës, duke eliminuar të gjitha dëmet ekonomike. Por mendoj që edhe kompania e cila ka manipuluar opinionin dhe syrin e administratës shtetërore me koordinata të gabuara mendoj që duhet të ketë në gjykim.

/Ora News.tv/