Manchester City fitoi me shifrat e thella 6-1 në ndeshjen e dytë të Premier League dhe Pep Guardiola ia ka "faturuar" Sergio Agueros këtë sukses, pasi argjentinasi shënoi një "hat-trick" personal. Gjithashtu spanjolli ka falenderuar mbrojtësin francez, Benjamin Mendy për punën e bërë në krah.

"Jam i kënaqur me tre pikë, mënyrën se si luajtëm",-tha Guardiola për "Sky Sports News". "Kemi filluar më mirë se sezoni i kaluar. Ne kemi bërë një performancë të mirë në 90 minuta.

"Sezonin e kaluar Huddersfield luajti me pesë futbollistë në mbrojtje, dhe ne vendosëm të luanim me dy sulmues. Të gjithë lojtarët patën një performancë të mirë, nuk mund të sulmonim në këtë mënyrë vitin e kaluar sepse nuk kishim Benjamin Mendy. Ai është aq i zgjuar për të shkuar lart e poshtë. Kur ne kemi topin ne jemi në gjendje për të sulmuar në këtë mënyrë.

"Kalimi ishte i jashtëzakonshëm, kontrolli nga Sergio Aguero, nuk e pashë kurrë atë që kur isha këtu, ai është në një gjendje të pabesueshme me topin dhe pa topin. Mendova ta zëvendësoja Sergion para "hat-trick", por në në fund ai ishte i përsosur"-deklaroi tekniku spanjoll menjëherë pas ndeshjes. 

Me këtë fitore City u ngjit në krye të tabelës me dy fitore. Momentalisht qytetarët kanë golavarazh më të mirë se kundërshtarët, duke qënë në kuotën e  tetë golave të shënuara dhe vetëm një të pësuar.

/Ora News.tv/