Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj është i prerë për të mos ndryshuar kufijtë e Kosovës pavarësisht presionit që bën presidenti Thaçi dhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama. 

Në një intervistë për emisionin “Pressing” në televizionin “T7”, Haradinaj zbuloi se ishte Rama ai që kishte iniciuar këtë darkë të parashikuar fillimisht në Tiranë dhe që më pas u mbajt në Prishtinë.

“Ka pasur një iniciativë prej kryeministrit Edi Rama për një takim të përbashkët. Në fillim ishte ideja që takimi të ndodhte në Tiranë, por ndodhi në Prishtinë. Ka qenë një bisedë e kujdesshme. Janë të njëjtat tema që i dijmë: taksa, dialogu, opsionet e zgjidhjes finale. Këto kanë qenë bisedat por nuk ka pasur ndonjë ndryshim qëndrimesh. Ka qenë në tërësi bisedë e dinjitetshme”, – tha Haradinaj që shkoi edhe më tej me zbulimin e prapaskenave.

Haradinaj u shpreh prerë dhe lidhur me qëndrimin e Ramës.  

“E respektoj mendimin e secilit. Rama le të thotë të vetat. Përgjegjësia e tij është Shqipëria. E shoh në rregull deri tani, por nuk duhet t’i japë vetes më shumë ngarkesë sa mund të mbajë. Ne jemi vetë këtu vendimmarrës”.  

/Ora News.tv/