Në Tiranë u çel edicioni I pestë e fotografisë digjitale Colours of Albania, që fokusohet te trashëgimia kulturore, shoqëria dhe historia shqiptare. Të gjithë qytetarët mund të bëhen pjesë e konkursit, duke postuar fotografi në rrjetet sociale me hashtagun #coloursofalbania2019,  duke u kthyer kështu edhe në diplomatë digjital.

Gent Cakaj: "Edhe tematika e këtij vitit e Colours of Albania është sa historia e qytetërimit, aq edhe kultura e shoqëria."

Kjo nismë synon të përfshijë të gjithë qytetarët në një fushatë promovimi të ngjyrave të Shqipërisë në rrjetet sociale duke i bërë jehonë larmishmërisë së jetës urbane, stilit të jetës dhe bukurive natyrore.

Elva Margariti: "Është një shtysë për të zbuluar, për të njohur vendin tonë, është  një moment për ta kapur të bukurën dhe për ta shpërndarë mes nesh dhe përtej kufijve tanë."

Konkursi 'Colours of Albania' do të mbetet i hapur deri në fund të shtatorit, e më pas juria do të bëjë përzgjedhjen e 50 fotove më të mira dhe 5 fotove fituese, të cilat do të ekspozohen në disa kryeqytete të botës.

/Ora News.tv/