Vewtëm pak orë pasi është publikuar deklarata e komisionerit për zgjerimin, Johannes Hahn mbi “ristrukturimin” e kufijve midis Greqisë e Shqipërisë, ka ardhur përgënjeshtrimi zyrtar nga zëdhënësja e komisionerit.

“Komisioneri Hahn në asnjë mënyrë nuk i është referuar një “ndryshimi kufijsh”, ka deklaruar zëdhënësja e komisionerit e pyetur nga gazeta greke, Kathimerini.

“Ndërsa komisioneri Hahn nënvizoi nevojën që të zgjidhen problemet e hapura dypalëshe para çdo zgjerimi të ardhshëm, ai iu referua negociatave të vazhdueshme greko-shqiptare për zonën ekskluzive ekonomike, të cilat mund të përcaktohen vetëm mbi bazën e një marrëveshjeje të pranueshme nga të dy vendet”, ka thënë zëdhënësja e cituar nga Kathimerini.

Por pavarësisht përgënjeshtrimit, incidenti ka shkaktuar polemika edhe ndërmjet qeverisë dhe opozitës.

Partia më e madhe opozitare, Demokracia e Re, ka kaluar menjëherë në sulm, duke kërkuar ndërprerjen e negociatave “sekrete”, siç thotë me Shqipërinë..

“Duhej ta jetonte edhe këtë atdheu ynë, me zotërinjtë Tsipras e Kammenos. Të informohemi nga komisioneri zoti Hahn, se qeveria po diskuton që të ndryshojë kufijtë tanë me Shqipërinë.

Demokracia e Re u bën thirrje zotërinjve Tsipras, Kotzias e Kammenos të ndërpresin menjëherë negociatat sekrete që siç duket po bëjnë edhe me Shqipërinë. Mjaft u dëmtua Greqia nga marrëveshja provokuese me Shkupin.

Por Demokracia e Re nuk ka lënë jashtë shënjestrës së vet edhe komisionerin Hahan, të cilin “e këshillon” që të “ndërgjegjësohet se cili është roli i tij dhe të kufizohet në kompetencat e veta”.

Vetë qeveria greke, e cilësoi si të dështuar deklaratën e komisionerit, ndërsa e fokusoi retorikën e vet kundër partisë më të madhe opozitare. Për qeverinë, përgënjeshtrimi që erdhi nga Brukseli e ka ekspozuar në mënyrë të pakorrigjueshme liderin e opozitës”.

Kjo është hera e dytë që komisioneri Hahn shkakton reagime të ashpra në Greqi. E para ishte në vjeshtën e 2016-s, kur kishte thënë se çështja çame është pjesë e axhendës së negociatave Athinë-Tiranë. Atëherë ministria e jashtme greke kishte reaguar duke e quajtur të pavërtetë dhe të papranueshme deklaratën e komisionerit.

/Ora News.tv/