Hahn i kërkon Kosovës heqjen e taksës 100 për qind

Hahn i kërkon Kosovës heqjen e taksës 100 për qind

Komisioneri për Zgjerim i Bashkimit Evropian, Johannes Hahn, ka kërkuar nga Kosova që të fokusohet në zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit (MSA) dhe të heqë taksën 100 për qind ndaj importeve nga Serbia dhe Bosnje Hercegovina.

Këto komente Hahn, i bëri gjatë publikimit të Raportit vjetor të Zgjerimit, i cili përcakton përparimin që kanë bërë vendet që synojnë integrimin evropian.

“Kosova duhet të fokusohet në zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit dhe duhet të heqë taksën prej 100 për qind për importet nga Serbia dhe Bosnje dhe Hercegovina. Në qershor do të bëj edhe një përpjekje për të zhbllokuar këtë situatë duke shkuar në këto vende, ndoshta për të përgatitur diçka për 1 korrik (Samiti në Paris). Nuk e di nëse do të jetë e dobishme, por duhet ta përdorim çdo mundësi dhe të bëjmë çdo gjë që është e mundur për të zhbllokuar këtë situatë që po pengon jo vetëm zhvillimin e këtyre dy vendeve, por tërë rajonin”, tha Hahn.

Marrëveshja e Stabilizim Asociimit (MSA), është marrëveshja e parë kontraktuale ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian, e cila ka hyrë në fuqi më 1 prill të vitit 2016.

Ndërkohë, kanë kaluar gjashtë muaj që kur Qeveria e Kosovës vendosi taksën 100 për qind për importet nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina.

Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ka ngecur tash e sa muaj, pasi Serbia e sheh si pengesë për këtë proces taksën 100 për qind që Kosova u ka vënë prodhimeve të importuara nga Serbia qysh në nëntor të vitit të kaluar./REL/

 

EMISIONET