Hahn ‘harron’ Shqipërinë: Maqedonia e Veriut ka bërë progres

Hahn ‘harron’ Shqipërinë: Maqedonia e Veriut ka

Në mes të debateve nëse Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, duhet të ndahen apo jo në vendimin e Këshillit për Çështjen e Negociatave, Komisioneri Europian për Zgjerimin, Johannes Hahn, duket se ka vlerësuar vetëm Shkupin dhe ka ‘harruar’ Tiranën, në prononcimin e tij për gazetarët, përpara nisjes së mbledhjes së Këshillit të Jashtëm. Hahn deklaroi se një vend ka investuar mjaft në perspektivën evropiane dhe për këtë duhet të shpërblehet. 

Hahn: "Mesazhi im për këdo është që të kuptojnë se situata rajonale ka nevojë për një farë perspektive. Një vend ka investuar në mënyrë të jashtëzakonshme në perspektivën evropiane dhe lidershipi i tyre ka treguar kurajë. Nëse kjo gjë nuk do të shpërblehet, ne nuk humbasin vetëm përgjegjshmërinë tonë, por edhe besueshmërinë. Pra çdo gjë që kemi investuar me sukses në muajt e fundit do të vendoset në rrezik nëse ne nuk i qëndrojmë besnik premtimeve tona".

Ndërkaq, përfaqësuesja e lartë, Mogherini, vlerësoi marrëveshjen e Prespës, por nuk harroi as Shqipërinë:

Mogherini: "Sot është fiks një vit që nga firmosja e marrëveshjes së Prespës dhe Maqedonisë së Veriut dhe mendoj se në këtë moment duhet të rikujtojmë kurajën që tregoi lidershipi i këtyre vendeve dhe hapave që janë hedhur nga Ballkanin Perëndimor. Unë shpresoj se vendet anëtare do t’a rikujtojnë këtë gjë dhe të pranojnë hapat përpara, veçanërisht kur gjatë ditëve të ardhshme duhet të marrim një vendim të rëndësishëm për hapjen e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Unë besoj se kjo duhet të ndodhë sa më shpejt të jetë e mundur".

Gjatë mbledhjes, ministrat e Jashtëm të vendeve anëtare të BE-së do duhet të përcaktojnë më konkretisht strategjinë e zgjerimit, por mediat kanë shkruar se hapja e negociatave, nëse do të ndodhë, ka më shumë gjasë të bëhet në shtator. Gjithashtu, më favorit në këtë aspekt duket Maqedonia e Veriut, ndërsa mbetet të shihet se çfarë qëndrimi do të rezervojnë në fund ministrat për Shqipërinë.

EMISIONET