Hahn: Bllokimi i dialogut me Prishtinën nuk duhet të ndalë integrimin e Serbisë

Hahn: Bllokimi i dialogut me Prishtinën nuk duhet të ndalë

Serbia pritet të hapë edhe një tjetër kapitull në negociatat e anëtarësimit në Bashkimin Europian. Këtë e konfirmoi komisioneri për zgjerimin Johanes Han. Gjatë qëndrimit të tij në Beograd, Han u shpreh i keqardhur që dialogu mes Prishtinës dhe Beogradit është bllokuar, por kjo sipas tij, nuk duhet të jetë arsye për ndaljen e procesit të integrimit europian të Serbisë.

“Më vjen keq që dialogu është ndalur, kjo nuk është mirë. Nuk ka asnjë arsye dhe do të ishte gabim të ndalet gjithçka (për Serbinë) vetëm sepse dialogu është i bllokuar”, tha komesionari Hahn në Beograd, gjatë një konference për media së bashku me kryeministren e Serbisë, Ana Bërnabiç.

 Dialogu ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit që ndërmjetësohet nga Bashkimi Europian është pezulluar që prej vendosjes së tarifës ndaj mallrave serbe nga ana e qeverisë së Kosovës në nëntor të vitit të kaluar.

Pavarësisht ngërçit të dialogut, BE-ja synon të përparojë procesin e integrimit të Serbisë dhe komesionari Hahn tha se po bëhen përgatitjet për hapjen edhe të një kapitulli tjetër ndërmjet BE-së dhe Serbisë.

 Gjatë qëndrimit në Beograd, komesionari Hahn ka takuar të enjten edhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç. Para vizitës në Serbi Han qëndroi në Sarajevë ku diskutoi procesin e integrimit europian të këtij vendi.

EMISIONET