Hafiz Ali Kraja është një nga klerikët muslimanë që si vëllezërit katolikë kaloi në kalvarin e vuajtjeve dhe persekutimit të komunizmit. Jeta e hoxhës së diplomuar në tre universitete dhe njohës i gjashtë gjuhëve të huaja erdhi në një film dokumentar me titullin “Kryet nalt”.

Jeta dhe kalvari i vuajtjeve të klerikut Hafiz Ali Kraja, erdhi për herë të parë në një film dokumentar që u shfaq në Shkodër.

I diplomuar në 3 universitete dhe zotërues i 6 gjuhëve të huaja, ai sëbashku me shumë klerikë myslimanë dhe katolikë, do të vuante torturat ç’njerëzore të regjimit komunist.

Por asnjëherë nuk pranoi të ulë kokën, duke mos u pajtuar me të keqen që po kalonte Shqipëria asokohe.

Dokumentari “Kryet nalt” solli në Shkodër një tjetër dëshmi të persekutimit të klerit.

Kreu i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Bujar Spahiu, u ndal në trashëgiminë shpirtërore dhe intelektuale të Hafiz Ali Krajës.

Për Agron Shehaj, themelues i Fondacionit Kujto, fatkeqësisht një pjesë e madhe e shoqërisë kërkon të mos shohë, ose më keq, të mohojë krimet e komunizmit.

I lindur në 1900 në Shkodër, Hafiz Ali Kraja përveçse klerik, ishte një publicit dhe atdhetar që kontribuoi në ditë të vështira për vendin.

/Ora News.tv/