Ish-drejtuesi i Policisë së Vlorës, Jaeld Çela, I akuzuar si pjesë e grupit të strukturuar kriminal që merrej me trafikim të lëndëve narkotike, ka ankimuar zgjatjen e afateve të fundit të hetimeve që prokuroria ka bërë ndaj tij.

Çela ndodhet prej rreth një viti ne arrati pasi Gjykata e Krimeve të Rënda ka dhënë masën "arrest në burg" në mungesë në nëntor të 2017-ës, së bashku me ish-zyrtarin tjetër të policisë Gjergji Kohilën.

Ata dyshohet se kanë favorizuar grupet kriminale gjatë viteve 2015-2016 për kultivimin dhe trafikimin e lëndëve narkotike por që prej nisjes së hetimeve organi i akuzës ka zgjatur tre herë hetimet për të akuzuarit.

Më herët, organi i akuzës, mbylli hetimet për 9 persona të dyshuar si anëtarë të grupit Habilaj, por ndau dy dosjet që po hetoheshin bashkë, atë të ish-zyrtarëve të policisë dhe ish-Ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri.

Edhe ky i fundit, ankimoi zgjatjen e afateve të hetimit, duke ngritur pretendime, se Prokuroria po zvarrit procedimin, pasi nuk ka prova.

Ndërkohë seanca për zgjatjen e afateve hetimore për ish-Ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri do të zhvillohet në 6 shkurt.

Ndërkohë avokati i një prej të akuzuarve si financier i grupit Nazer Seiti ka paraqitur dorëheqjen nga mbrojtja, duke dhënë si argument se nuk e realizon dot mbrojtjen e klientit të tij përsa kohë që ai nuk ndodhet në Shqipëri.


/Ora News.tv/