Industrialistët, grumbulluesit  dhe tregtarët e produkteve bujqësore i ka dhënë afat qeverisë që të zgjidhë ngërçin me TVSH-në  deri në 14 mars ose në të kundërt  nuk do të grumbullojnë asnjë produkt bujqësor. Alban Zusi shprehet se prej janarit u është ngarkuar një barrë fiskale, çka po i  shkakton  humbje duke i dhënë dy zgjidhje, ose të mbyllin aktivitetin ose të ulin çmimin e produkteve që grumbullojnë. Ndërkohë vetë fermerët deklarojnë se rrezikojnë falimentin.

Grumbulluesit e prodhimeve bujqësore kanë paralajmëruar qeverinë se do ndërpresin mbledhjen e qumështit dhe nënprodukteve, frutave dhe perimeve nëse nuk zgjidhin ngërçin e krijuar me ndryshimin e skemës së TVSH.

Alban Zusi, drejtuesi i industrisë shqiptare të ushqimit, deklaroi se që prej janarit grumbullojnë mallin duke e paguar për 6% TVSH.

Por në momentin e shitjes detyrohen që taksën e vlerës së shtuar ta kenë 20 për qind.

Në këto kushte me të favorizuara janë importet.

Alban Zusi: Pas datës 14 mars 2019 ne nuk do të grumbullojmë asnjë litër qumësht për të cilin do të duhet që të paguajmë 14% TVSH, e cila sipas ligjit bazë fiskale, atij të TVSH i takon prodhuesit të produktit. Por shumë shpejt në treg do të dalin produktet e tjera bujqësore, produktet e serave dhe padiskutim që do të pasohet edhe nga ky sektor. Aktualisht ato nuk janë në treg, pasi ne në këtë periudhë nuk kemi sezonin.

Ali Azisi është një fermer që  merret me mbarështimin e lopëve dhe shprehet se nëse grumbulluesit do ulnin çmimin e grumbullimit, ai do të falimentonte.

Ali Azisi: Detyrohemi të prishim fermën, është e pamundur. Nuk mund ta mbajmë dot, ka një kosto. Politika që ndjek shteti në drejtim të blegtorisë është shumë rëndë. Nuk ka vizion për blegtorinë. 

Problemi  i grumbulluesve dhe tregtarëve ka nisur në janar të këtij viti pas hyrjes në fuqi të paketës së re fiskale, ku është bërë ndryshimi i ligjit për TVSH-në.

/Ora News.tv/