Në Shqipëri 14 mijë persona janë të prekur nga viruset gripale dhe 27 me fruth, por ekspertët e shëndetit thonë se vendi nuk është në epidemi gripale. Që të quhet epidemi numri i rasteve duhet të kaloj 17 mijë të prekur. ISHP rekomandon qytetarët të mos neglizhojnë e simptomat dhe të kontaktojnë menjëherë me mjekun e familjes. 

14 mijë persona rezultojnë të prekur në të gjithë vendin nga viruset gripale të tipit a dhe b të cilët qarkullojnë në Shqipëri. Krahasuar me dy jave më parë, statistika e të prekurve është rritur me 1000 raste, por mjekët thonë se vendi është ende larg epidemisë gripale.

Artan Simaku: Aktualisht janë rreth 14 mijë raste në javë. Jemi shumë larg pragut epidemik, pra nuk ka vend për panik. Kemi hyrë në fazën e aktivitetit sezonal stinor normal.

Vendi hyn në epidemi gripale kur numri i të prekurve kalon 17 mijë persona.

Artan Simaku: "Mbi 17 mijë raste mund të themi që jemi afër pragut dhe afër epidemisë"

Epidemiologu në ISHP Artan Simaku i bëri thirrje qytetarëve që me shfaqen e simptomave si temperaturë, gjendje dobësie, dhimbje fyti të kontaktojnë me mjekun e familjes.

Artan Simaku: "Të evitojë shkuarjen direkt në urgjencë duke krijuar mbipopullim në urgjencë dhe nuk duhet të paraqiten në farmaci për të marrë një medikament vetë, sepse ndërkohë që presën të bëhen më mirë instalohen komplikacionet dhe kërkohet edhe shtrimi në spital"

Por përveç situatës gripale, vijon të rritet numri i rasteve të prekur nga fruthi. ISHP raporton zyrtarisht për 27 persona të prekur, të konfirmuar nga mostrat e analizuara ndërsa rastet e dyshimit janë më të shumta.

/Ora News.tv/