Antoine Griezmann largohet nga Atletico Madrid. Lajmi konfirmohet përmes një video në "Twitter", me francezin që zbulon se do largohet nga skuadra kryeqytetase në fund të sezonit.

Në një video që zgjati më shumë se dy minuta, francezi falënderoi tifozët për dashurinë e treguar ndaj tij gjatë pesë viteve të tij në klub.

"Kanë qenë pesë vite të pabesueshme. Ju falënderoj shumë për gjithçka. Unë do t'ju mbaj në zemrën time. Dua t'ju them se unë kam marrë vendimin për t'u larguar, për t'u përballur me gjëra të reja, sfida të reja. Faleminderit shumë nga thellësia e zemrës. Do shihemi sërish”, tha Griezmann në videon që u botua në llogarinë e "Twitter" të Atleticos.

28 vjeçari edhe pse nënshkroi një kontratë të re vetëm një sezon më parë me Atletico Madrid ka vendosur të ndryshoj ambient për të provuar sfida të reja. E ardhmja e tij pritet të jetë sërish në Spanjë, por me fanellën e Barcelonën. Lionel Messi e pret tek katalanasit, pasi e shohin francezin që fitoi Kupën e Botës si një opsion të shkëlqyer për të dominuar edhe në Europë.

Mediat në Spanjë këtë javë kanë sugjeruar se Barcelona është gati të paguajë klauzolën 120 milionë euro të prishjes së kontratës, pasi Griezmann ka informuar klubin për dëshirën për t’iu bashkuar katalanasve.



/Ora News.tv/