Greqia përfshihet nga zjarret, po favorizohet nga temperaturat e larta

Greqia është vënë në alarmin e zjarreve për shkak të temperaturave të larta dhe erërave të forta. Në periferi të Athinës u angazhuan 141 zjarrfikës të ndihmuar nga pesë avionë dhe pesë helikopterë për të shuar zjarret që ranë në shpatet e një mali. Ndërkohë mediat kanë raportuar për ndarjen nga jeta të heroit shqiptar Kostas Arvaniti, që shpëtoi vjet nga zjarret 70 vetë.

Një zjarr i madh i favorizuar nga erërat e forta që u ndez brenda natës në shpatet e malit Hymettos pranë kryeqytetit grek, u vu nën kontroll të hënën. Sipas autoriteteve, për të luftuar me flakët u thirrën 141 zjarrfikës të ndihmuar nga pesë avionë zjarrfikës dhe pesë helikopterë. Brigada e zjarrfikësve tha se të paktën një shtëpi u shkatërrua nga zjarri.

Autoritetet kanë paralajmëruar për rrezikun e lartë të zjarreve në pjesë të mëdha të Greqisë për shkak të temperaturave të larta dhe erërave të forta. Në 24 orët e fundit shërbimi zjarrfikës i Greqisë mori thirrje për të shuar 60 zjarre në mbarë vendin, përfshirë flakët në Elafonissos, një ishull në jug të Peloponezit, i cili detyroi evakuimin e kampeve të turistëve.

Të martën në mëngjes zjarrfikësit evakuuan murgjit e një manastiri ndërsa banorëve të tre fshatrave pranë zonës pyjore Evia iu bë thirrje të martën të qëndrojnë në gatishmëri për t’u larguar.

Ndërkohë mediat në Greqi kanë raportuar ndarjen nga jeta të shqiptarit Kostas Arvaniti. Një vit më parë, gjatë zjarrit që ra më 23 korrik në afërsi të Athinës dhe që u mori jetën 83 vetëve, ai dhe familja e tij arritën të shpëtojnë 70 vetë përmes barkës së tyre të peshkimit.

Për Arvanitin, ka folur edhe kryeministri i Greqisë Kyrioqkos Mitsotakis, i cili ka bërë me dije se shpenzimet për varrimin do të mbulohen nga shteti, në shenjë mirënjohje për aktin e madh që ai kreu një vit më parë.

EMISIONET