Greqi, shkatërrohet grupi i trafikut të heroinë, 19 të arrestuar, 5 shqiptarë

Me një valë të gjerë operacionesh në Janinë, Athinë dhe ishujt Rodos e Kos, policia greke ka vënë në pranga 19 persona që akuzohen si pjesëtarë të një organizate kriminale që trafikonte kanabis dhe heroinë.

12 prej të arrestuarve janë shtetas grekë, pesë janë shqiptarë mes të cilëve edhe kreu i njerit prej grupeve, një shtetas moldav dhe një rumun.

Shërbimi i antidrogës ka verifikuar se organizata kriminale ishte krijuar që nga janari 2017 dhe deri në momentin e asgjesimit kishte trafikuar të paktën 150 kg kanabis dhe 1 kg heroinë. Të dy llojet e drogës vinin nga Shqipëria dhe magazinoheshin në vende të ndryshme prej nga pastaj shpërndaheshin për në destinacionet e caktuara.

Për dërgimin e drogës nëpër Greqi përdoreshin forma të ndryshme, si pako apo të fshehura në mobilje që transportoheshin  nëpërmjet kompanive kurier.

Në hetuesi kanë prova të paktën 235 raste të shitjes së drogës nga organizata në fjalë, ndërsa Policia thotë se fitimi nga trafiku ishte rreth 350.000 euro.

Pjesëtarët e organizatës përdornin telefona që ishin deklaruar me emra shtetasish të tjerë të huaj, ndërsa komunikonin ndërmjet tyre me një fjalor të koduar.

Gjatë operacioneve në prani të prokurorëve dhe me ndihmën edhe të qenve të zbulimit të drogës, janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës:

930 gr kanabis, katër peshore precizioni, qese plastmasi bosh që përdoren për ambalazhimin e drogës, një armë gjahu, një pistoletë raketahedhëse, një tablet, një laptop dhe blloqe me shënime, 4.565 euro, 15 dollarë, 200 lekë dhe 650 euro falco. U sekuestruan gjithashtu një numër mjaft i madh telefonash celularë dhe kartash sim, si dhe tre automjete.

EMISIONET